Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla iu përgjigj deklaratës për procedurë sot në sallën e Kuvendit të kreut të grupit të PD-së, Gazment Bardhi se po shkelej afati për të sjellë raportin e diskutimit të heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut në Parlament, duke thënë se ishin brenda atij afati dy javor.
Teksa mori fjalën, Balla akuzoi Bardhin si gënjeshtar, duke shtuar se “nuk kishte lidhje as me besimin dhe as me moralin, por gënjeshtrat në muaj Ramazani janë dyfish”.
“Gënjeshtra në muaj Ramazani është dyfish. Ti s’ke lidhje as me besimin e vlerave morale dhe familjare, ato janë tepër të rëndësishme për çdo person. Sa i përket gënjeshtrave që u hodhën në këtë sallë, qëndrimi ynë ka qenë i qartë në mbledhjen e këshillit të Mandateve në emër të 5 deputetëve të PS anëtarë, e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë, sikurse edhe në përfundim të mbledhjes e kemi bërë me dije se si e sqaron Rregullorja e Kuvendit”, tha Balla.
Më tej ai sqaroi edhe procedurën, Rregulloren, afatet dhe se kur do vinte në Kuvend raporti për imunitetin e Ballukut. Deputeti i PS tha se seancën e 12 marsit PS pritet ta sjellë në Kuvend raportin dhe të diskutohet.
“Në Këshill ka pasur dy mendime dhe dy qëndrime dhe kjo është e qartë në procesverbal dhe thuhet qartë se brenda 2 javëve hartohet një raport. Jemi brenda kohës që na thotë rregullorja. Jemi grup parlamentar serioz, nuk i merr vendimet kryetari i kuvendit, i grupit apo nënkryetari, por janë vendime kolegjiale. Më 23 shkurt kam deklaruar publikisht se sapo të depozitohet raporti nga ana jonë në Kuvend, do respektohet afati dy javor, sepse ai është para datës së shqyrtimit 17 mars, ndaj sqaroj se sapo të jetë gati ky raport në seancën e parë do të jetë gati për seancë, që i bie ajo më e afërta e 12 marsit”, u shpreh kreu i grupit të PS.
Opozita ka shprehur qëndrim të hapur që të pranohet kërkesa e SPAK për heqjen e mandatit të Ballukut dhe nënshtrimit ndaj hetimeve të drejtësisë.
Kuvendi po zhvillon punimet në seancë plenare ditën e sotme (5 mars) me 12 pika në rendin e ditës, ku bie në sy ajo e votimit për ministrat e rinj të kabinetit qeveritar “Rama”.
Rendi i ditës në Kuvend:
“Seancë Plenare 5 Mars 2026 ora 10:00
Rendi i ditës:
- Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 2.3.2026.
- Njoftime.
- Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, kërkuar nga deputeti Erion Braçe.
- Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, kërkuar nga deputeti Erion Braçe.
- Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar
- Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave (huamarrësi), dhe KfË Frankfurt am Main (KfË), për programin “Infrastruktura bashkiake V – faza II””.
- Projektligji “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”.
- Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 46/2018, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, të ndryshuar”.
- Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”.
10.Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 68/2017, “Për financat e vetëqeverisjes vendore””.
- Projektvendimi “Për një shtesë në vendimin nr. 65/2025, “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”.
- Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës”.











