Kupa e Kombeve të Afrikës (AFCON) arriti kulmin e saj të dramacitetit, teksa Senegali siguroi një fitore emocionuese 1-0 pas kohës shtesë ndaj vendasve të Marokut në finale, duke shënuar suksesin e dytë në tre turnetë e fundit.

Përballja mes dy përfaqësueseve më të mira të Afrikës u zhvillua në një atmosferë elektrizuese në Rabat, me publikun vendas që krijoi një mbështetje të zjarrtë për Marokun.
Pavarësisht rekordeve mbrojtëse të të dy skuadrave në këtë turne, loja ishte surprizueshëm e hapur që në minutat e para, duke krijuar një mori rastesh.
Senegali ishte dukshëm skuadra më premtuese në pjesën e parë, por vendasit u rikthyen më të vendosur pas rifillimit të pjesës së dytë.
Kulmi u arrit në minutën e 90+8. kur një rishikim me VAR akordoi penallti për Marokun, pas një tërheqjeje të El Hadji Malick Diouf ndaj Brahim Díaz në zonë. Në këtë moment pati një ndërprerje prej 15 minutash, teksa Senegali protestonte ashpër vendimin, përpara se Diaz të ekzekutonte në mënyrë të pabesueshme penalltinë me një “panenka” drejt e në duart e Eduard Mendi, duke e çuar ndeshjen në kohën shtesë.
Aty erdhi edhe një tjetër kthesë e jashtëzakonshme vetëm pak minuta më pas, kur një kundërsulm i shpejtë i Senegalit u finalizua nga Gueje, i cili i shpëtoi ndërhyrjes së Ashraf Hakimit dhe lëshoi një goditje spektakolare me të majtën, që përfundoi fuqishëm në trekëndësh.
Nga gëzimi në dëshpërim, Maroku hodhi gjithçka për të barazuar, por pa sukses. Senegali u bë ekipi i parë që nga viti 1982 që mposht një vend organizator në finalen e AFCON-it, duke vazhduar epokën e artë me këtë titull që i shtohet triumfit të vitit 2021. Në anën tjetër qëndron Maroku, që i kënaqi tifozët gjatë gjithë turneut, por nuk arriti ta kurorëzojë këtë finale madhështore me trofeun e parë të AFCON-it pas 50 vitesh.
VIDEO E PENALLTISË SË HUMBUR DHE GOLIT TË FITORES
PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











