Vllaznia i është kthyer shpejt fitoreve, duke lënë pas hapin e gabuar ndaj Bylisit në kampionat, teksa ka mundur në “Klasiken” e futbollit shqiptar Tiranën me përmbysje.
Shkodranët kanë dominuar ndeshjen që në startin e saj, duke krijuar më shumë volum loje, por u goditën nga një pavëmendje në prapavijë që solli golin e Xhixhës për miqtë.
Megjithatë, barazimi nuk do të vononte shumë pasi Bismark gjeti devijimin e duhur me kokë për të vendosur baraspeshën në shifra.
Pjesa e dytë foli tërësisht për Vllazninë e cila kërkoi me ngulm golin dhe e gjeti atë falë një dhurate të Kortez, i cili shënoi në portën e skuadrës së tij. Pak minuta më vonë, erdhi edhe penalltia e fituar nga Mala dhe e transformuar saktësisht nga i zakonshmi Balaj, për t’i dhënë Vllaznisë qetësinë në këtë ndeshje.
Shkodranët nuk ndalën sulmet edhe në vijimin e duelit, por nuk ia dolën të kalonin më Bekajn, duke u dashur të kënaqen vetëm me 3 gola në këtë ndeshje ndaj rivalëve historikë.
Nga ana tjetër, Shehi nuk mundi të bënte shumë për të nxjerrë skuadrën bardheblu nga kriza e rezultateve që e zhysin gjithnjë e më shumë në zonën e ftohtë. /Panorama Sport/
VLLAZNIA-TIRANA 3-1
31′ Bismark, 48′ (ag) Kortez, 71′ (p) Balaj / 25′ Xhixha
71’ GOOOL VLLAZNIA! Shënon Balaj me penallti. (VIDEO)
48’ GOOOL VLLAZNIA! Qato nis Balajn në të majtën, pasimi i sulmuesit në qendër kthehet në portën e Bekajt nga Kortez i cili shënon autogol. (VIDEO)
31’ GOOOL VLLAZNIA! Pas një goditje dënimi të Malës, Bismark me kokë gjen devijimin e duhur për të mposhtur Bekajn. (VIDEO)
25’ GOOOL TIRANA! Xhixha pason te Tabeku i cili nuk gjuan siç duhet por sfera kthehet te Xhixha i cili nuk gabon me diagonalen e tij. (VIDEO)
© Panorama.al












