VIDEO/ Dalin pamjet e grabitjes së tek Qendra Concord! Momentet kur Luan Maci mbledh edhe lekët që i bien në tokë, vendos pistoletën në banak!

Mar 5, 2026 | 16:51

Zbulohen pamje të reja të grabitjes së ndodhur sot në Tiranë, në një dyqan shkëmbimi valutor, brenda në ambientet e qendrës tregtare “Concord”.

Video e re tregon skenën e grabitjes, por edhe sjelljen amatore të të dyshuarit Luan Maci.

Fillimisht shkelmon derën e subjektit dhe kërcënon dy punonjëset me armë pistoletë.

Pastaj nis të mbledhë paratë me dorë nga banaku.

Në pamundësi për t’i grumbulluar, ai lë armën në banakun e biznesit dhe nis t’i marrë me të dyja duart. Një pjesë e madhe e kartmonedhave i bien në dysheme dhe ai ulet që t’i mbledhë për t’i futur në çantën marsup.

Policia e Tiranës bëri edhe një njoftim zyrtar për ngjarjen dhe arrestimin e 42-vjeçarit pak orë pas grabitjes, aksion i koduar “Itinerari”.

Maci arriti të merrte të paktën 3 mln lekë në dyqanin e këmbimit valutor në rrugën “5 Maji”, një pjesë e të cilave u sekuestruan si provë materiale, bashkë me armën e krimit.

Njoftimi i Policisë Tiranë:

“Vodhi rreth 3 milionë lekë, në një dyqan këmbimi valutor, në një qendër tregtare, duke kanosur punonjësen, me armë zjarri pistoletë, identifikohet, lokalizohet dhe arrestohet 42-vjeçari.

42-vjeçari, me precedent penal për të njëjtën veprimtari kriminale. Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, një pjesë e shumës së parave të vjedhura dhe veshja e përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një rast vjedhjeje, në rrugën “5 Maji”, kanë organizuar në drejtimin e Prokurorisë, punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. 

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit:

-L. M., 42 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas dyshohet se duke kanosur punonjësen, me arme zjarri pistoletë, ka vjedhur rreth 3 milionë lekë, në një dyqan këmbimi valutor, brenda një qendre tregtare, në rrugën “5 Maji”.  

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”.

© Panorama.al

Te lidhura