
TIRANE- Një ditë para dhënies së pretencës nga Gjykata për çështjen e njohur “Meta- Prifti”, kreu i LSI-së, Ilir Meta tha se kjo është një çështje ordinere, e cila i takon vitit të kaluar.
”Nuk jam i gatshëm të merrem me çështje ordinere, që i takojnë vitit të kaluar. Jemi ketu për tu marrë me çështje që i takojnë të ardhmes. Angazhimi i LSI-së këtë vit do të jetë tepër premtues”- tha Meta.
Komentet, kreu i LSI-së i bëri gjatë një konference për shtyp, ku foli për sfidat e LSI-së për vitin që sapo ka nisur.
Meta tha se kryefjala e këtij viti për Lëvizjen Socialiste për Integrim do të jetë progresi i mëtejshëm i Shqipërisë, me qëllim marrjen e statusit kandidat për në BE, që shqiptarët e meritojnë prej dy vitesh.
Viti 2011, vazhdoi më tej Meta, do të jetë një vit i ripërtëritjes së LSI-së, përmes një procesi zgjedhor të brendshëm, i cili ka nisur prej kohësh dhe që do të përfundojë në pranverën e këtij viti.
Ai konfirmoi gjithashtu edhe rikandidimin e tij në krye të LSI-së, duke ia faturuar këtë rikandidim suksesit të partisë së tij në zgjedhjet vendore, ku sipas Metës, LSI pati një rritje spektakolare.
Kreu i LSI-së tha se Lëvizja Socialiste per Integrim do të angazhohet maksimalisht dhe është e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë faktorët e interesuar, me qëllim arritjen e statusit.
© Panorama.al











