VIDEO/ “Atë ta varrosin në kanalin më të thellë, le ta hanë qentë!”- Vëllai i 75-vjeçares rrëfen tragjedinë e Roskovecit: Shefiti ishte problematik, kishte hije të rëndë! 20 vite më parë tentoi vetëvrasje

Mar 25, 2026 | 11:40

Pas tragjedisë së dyfishtë, me vrasje-vetëvrasje të Dashuri dhe Shefit Rrapajt në një krim në familje pas konflikteve të dyshuara për motive banale në Kuman të Roskovecit dje (24 mars), të afërmit dhe banorët kanë reaguar duke rrëfyer episode nga ngjarja dhe jeta e viktimave.

Ermal Azizaj, vëllai i Dashurisë, tregoi se 80-vjeçari ishte një njeri problematik dhe prind me hije të rëndë, që shkaktonte gjithmonë konflikte e sherre në familje, por motra e tij ia mbulonte të gjitha këto defekte, derisa ai i mori jetën.

Ai ka rrëfyer se si mori vesh ngjarjen e rëndë, çfarë mendonte për kryefamiljarin, sherret që kishin pasur ndër vite dhe një tentativë vetëvrasje të të moshuarit në vitin 2006.

Ermal Azizaj

Madje shprehet se nuk i interesonte fare se ku do varrosej Shefiti, duke shtuar se “e kam lënë me zë dhe shkrim, atë ta varrosin në kanalin më të thellë, ta hanë qentë”.

“Shefiti gjithmonë ka qenë agresiv dhe problematik. Erdha nga puna dhe po haja pak bukë, kur më bie telefoni në Messenger, e lashë nuk e hapa, thashë do marrë përsëri. Por po më bluante diçka në gurmaz dhe u ngrita dhe kapa telefonin, shiko, ishte nipi. E mora, më tha “kanë vdekur të dy jaje, e ka vrarë!”.  Në atë moment mora vëllanë e madh në telefon dhe njëri-tjetrin, për ta shpëtuar, shpresonim mos e gjenim gjallë, por jo. Shteti bën punën e vetë. Ai ka qenë problematik. 50 vjet motra jonë gjithmonë për atë ka qenë mbulesë. Ai kishte hije prind me hije të rëndë. Edhe si baba, të vijë fëmija, se jemi vetë familjarë, u lodhe, u bëre…”, tregon Ermali.

vrasja kuman

Më tej ai shpjegon edhe konfliktin e fundit para vrasjes, ku 80-vjeçari ishte grindur me Dashurinë dhe të birin e kthyer nga Greqia për shkak të mbjelljes së patateve në arë. Madje i kishte denoncuar dy familjarët për dhunë.

“Para dhjetë ditësh të themi erdhën me polici, vjen motra dhe nipi këtu me polici, më morën nipit nga Greqia më thanë shko se i ka denoncuar Shefiti. Pse, kishin mbjellë në tokë atje, pse i mbolle këtu patatet po s’i mbolle atje. Përcolla gocën në Tiranë në shkollë dhe pastaj shkova te motra në Roskovec, i ngushëllova atje, u hodha duart në qafë dhe u thashë ça keni? Edhe Shefitit. Po ja thanë… U thashë, edhe Shefitit, ça keni, s’të pëlqejnë këtu, mos i mbill këtu, mbilli më tej, qetësohu, këto janë konflikte koti”, vijon ai rrëfimin.

roskovec

Sipas Ermalit, 80-vjeçari kishte sjellje të rëndë gjithë kohën, derisa shkoi në këtë krim ekstrem që ata nuk e prisnin. Madje nuk e dinin as që kishte armë në banesë.

“Ai ka qenë problematik. Unë kam qëndruar në Greqi 25 vite por ça të them, burrë i dhunshëm, po ka qenë. Para 20 vitesh ka bërë vetëvrasje, mars 2006. Kush e çonte në mendje se ai kishte armë, kujt i shkonte mendja për armë”, thotë ai.

Në fund flet edhe për hapjen e dyerve të mortit dhe ceremonitë mortore.

Ermali shprehet se ata po i bëjnë nderimet e fundit Dashurisë atje ku jetonte, në fshatin e saj, kurse për Shefitin tha që ta varrosnin në ndonjë kanal të thellë ose “ta hanin qentë”.

“Ne kemi marrë të ndjerën tonë, motrën tonë, ta varrosim atje ku kemi nënën dhe babanë. Për atë nuk më intereson fare, e kam lënë me zë e me shkrim, çojeni ku të doni, varroseni në kanalin më të thellë, ta hanë qentë, nuk më intereson fare…”, përfundon Azizaj reagimin e tij.

roskovec1

© Panorama.al

Te lidhura