
VV ndërpret protestën e reciprocitetit pas 12 orësh në të ftohtë
Liderët e protestës, pa plan për hapa të mëtejshëm
Lëvizja Vetëvendosje, në një konferencë për shtyp dje deklaroi se policia ishte treguar çnjerëzore me protestuesit gjatë protestës së 22 janarit, pasi i kishte lënë ata pa ushqime e pa ngrohje. Sipas Vetëvendosjes, qytetarët e dëshmuan se nuk mund t’i frikësojë qeveria, dhe se janë të qëndrueshëm përkundër kushteve të vështira që i shkaktoi policia. Ata akuzuan qeverinë se mbarëvajtja e situatës më 22 janar tregoi se dhuna e treguar një javë më parë ishte vepër e saj. “Më 14 janar, urdhrat e qeverisë ishin shumë më të dhunshëm, mirëpo më 22 janar ata ishin më çnjerëzor. Kjo dëshmoi që intervenimi i dhunshëm më 14 janar ishte bërë me urdhër politik. Por edhe këtë herë policia ishte tërësisht antiligjore. Duke mos ndërhyrë dhunshëm në protestë, pra duke pranuar se protesta ishte legjitime, paqësore e ligjore, ajo e luftoi çdo mjet për ekzistencë të protestuesve: ushqimin, ujin, batanijet, tendat, gjeneratorët, reflektorët etj. Qeveria u tha qytetarëve keni të drejtë të protestoni, por nuk keni të drejtë të hani, të pini e as të ngroheni. Sërish policia e bllokoi lirinë e lëvizjes dhe qarkullimin e lirë në mënyrë të trefishtë: nuk lejoi ardhjen e aktivistëve nga Shqipëria, të cilët i ndaloi në kufi dhe i arrestoi 7 prej tyre; përsëri u instaluan postblloqe gjithandej rrugëve që shpien për në Merdare dhe te Dheu i Bardhë; u bllokua rruga disa kilometra para këtyre dy pikave kufitare nga kordonët policore që nuk lejonin as protestuesit të marshojnë paqësisht e as kalimtarë të rastit që të ecin në anën tjetër”, akuzuan zyrtarë të Vetëvendosjes.
Reagimi i Policisë
Mirëpo, zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë thënë se në asnjë rast protestuesit nuk janë penguar për të protestuar, e aq më të ushqehen. Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, tha për radion “Europa e Lirë” se protesta u ndërpre për shkak të numrit të vogël të protestuesve. “Sa i takon ushqimit dhe veshmbathjeve për protestuesit, ju e dini që Policia e Kosovës gjatë gjithë ditës ka lejuar që ato të shkojnë te protestuesit dhe ato janë parë edhe në xhirimet e drejtpërdrejta nga shumë mediume”, tha Kelani.
Incidenti i izoluar
Drejtuesit e qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje të Prizrenit kanë konfirmuar një incident të ndodhur në njërin prej autobusëve që po bartte protestuesit e tyre nga Dheu i Bardhë, mirëpo kanë tërhequr vërejtjen se bëhet fjalë për një rast të izoluar, që ka ndodhur mes dy personave që janë zënë për arsye të kota.
Pa plan
Lëvizja Vetëvendosje, pasi ka përmbyllur protestat në kufi me Serbinë, ende nuk ka një qëndrim të prerë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm. Vetëvendosje e ka mbyllur protestën pas më shumë se 12 orësh qëndrimi në rrugë, në afërsi të vendkalimeve kufitare me Serbinë, në Merdare dhe te Dheu i Bardhë. Kjo protestë kishte për qëllim bllokimin e hyrjes së mallrave serbe nga Serbia në Kosovë. Zyrtarët e Vetëvendosjes, përmes një komunikate për media, kanë thënë se “për shkak të kufizimeve që janë bërë nga policia në aspektin logjistik dhe temperaturave të ulëta, është bërë i pamundur qëndrimi i sigurt i protestuesve në Merdare”.
Për reciprocitet
Lëvizja Vetëvendosje, pasi ka mbyllur protestat në kufi me Serbinë, ende nuk ka një qëndrim të prerë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm të saj. Deputeti Rexhep Selimi i Vetëvendosjes, deklaroi se pas ndërprerjes së protestës, Kryesia e Vetëvendosjes dhe Grupi Parlamentar gjatë ditës mund të dalin me qëndrimet e tyre. Megjithatë, deputeti Selimi ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë të jetë e qëndrueshme dhe nuk do të lëvizë nga qëndrimet e saj. “Reciprociteti do të jetë parim të cilit do t’i shërbejmë në vazhdimësi, pavarësisht formave, pavarësisht mënyrës dhe vendit të protestave”, deklaroi Selimi.
Krasniqi: Protesta nuk mund të quhet e dështuar

Kryetari i Parlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe zyrtarë të tjerë nga partitë opozitare në vend, LDK-ja e AAK-ja, e kanë mirëpritur vendimin e Lëvizjes Vetëvendosje për të ndërprerë protestën, duke sugjeruar që zgjidhjet të kërkohen brenda institucioneve. Duke vlerësuar faktin se kjo protestë ka përfunduar e qetë dhe pa ndonjë incident, ata i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të angazhohet në zbatimin e reciprocitetit. Të hënën, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Krasniqi tha se protestën “nuk do ta quaja të dështuar. Mua më vjen mirë që ata kanë marrë vendim për ta ndërprerë. Por konsideroj që edhe mocioni që është votuar në seancën e kaluar e lënë në obligim qeverinë për të respektuar reciprocitetin. Kështu që vendimin për ta ndërprerë protestën dhe për t’iu kthyer punës në institucione e vlerësoj si një mendim dhe vendim shumë të arsyeshëm”, tha Krasniqi.
© Panorama.alJo referendumit
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, pas mbledhjes me përfaqësuesit e Sindikatave të pavarura të Serbisë, duke folur për referendumin në Veri të Kosovës, tha se vendimi i përfaqësuesve të serbëve në pjesën veriore të Kosovës që në mesin e muajit shkurt për të organizuar referendumin, mund të jetë i dëmshëm për Serbinë, në mbrojtjen e interesave legjitimë në Kosovë. Tadiç u tha gazetarëve në Beograd se para Serbisë është dialogu me Kosovën, që bart rreziqe lidhur me zgjidhjen e problemeve, dhe vlerësoi se nuk ekziston mundësia që udhëheqja lokale të bëjë më tepër se shteti në zgjidhjen e problemeve të popullatës serbe. Ai ka përsëritur edhe njëherë se Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën.












