
Policia me barrikada hekuri, Vetëvendosje: Po na konfiskojnë ujin e bukën
Policia: Qarkullimi i lirë në të dyja pikat doganore
Protestuesit e lëvizjes Vetëvendosje kanë deklaruar se janë të vendosur ta bllokojnë hyrjen e Serbisë në Kosovë, dhe se për këtë janë të gatshëm të kalojnë edhe këto net të ftohta në rrugë. Ndërsa protesta e djeshme, ndryshe nga ajo e 14 janarit, nuk ka shënuar incidente e është konfirmuar edhe nga policia kryesisht e qetë, protestuesit kanë mbetur pa mjete logjistike, pa tenda dhe pa vaj për t’u ngrohur, pasi ato janë marrë nga policia. Sidoqoftë, lideri i Vetëvendosjes, Kurti, ka deklaruar se të gjitha ata do të vazhdojnë të qëndrojnë në rrugë deri kur qeveria të respektojë republikën. Albin Kurti, në një prononcim për radion “Europa e Lirë”, ka paralajmëruar vazhdimin e protestave, duke u shprehur se: “Do të vazhdojmë të qëndrojmë edhe në orët në vijim, edhe në ditët në vijim, deri atëherë kur qeveria e Kosovës do të thotë ‘tani do ta bëj shtetin e dinjitetshëm, do ta mbroj Republikën’. Kufiri me Serbinë është ndërkombëtar, Serbia është shtet armik dhe nuk do të lejohet ndërhyrja e hyrja e saj”, tha Kurti, i cili po qëndron me protestuesit në dalje të Podujevës.
Nis acarimi
Tek protesta paqësore që po zhvillohet në afërsi të pikës kufitare Dheu i Bardhë, policia e Kosovës ka ndaluar depërtimin e ushqimit dhe materialeve logjistike që janë esenciale për mirëqenien e protestuesve të cilët po vazhdojnë të qëndrojnë atje, sipas Lëvizjes Vetëvendosje. “Policia e Kosovës po ushtron presion ndaj protestuesve, duke i detyruar drejtuesit e autobusëve që të afrohen te protestuesit dhe t’i mbledhin ata nga vendi i protestës, duke u dhënë 20 minutave kohë për t’u kthyer prapa, me apo pa protestuesit. Furgoni që bartte drunj për ngrohje është kthyer pas dhe drejtuesi i tij është ndaluar në polici”, thuhet në njoftim. “Policia kësaj radhe, në vend të intervenimit, po privon protestuesit nga gjërat elementare, si ushqim, pije dhe ngrohje, duke rrezikuar kështu shëndetin e të gjithë atyre që po vazhdojnë të qëndrojnë në protestë paqësore”, thuhet më tej në njoftim.
Respektohet distanca
Aktivistët e kanë nisur si herën e kaluar protestën, në orën 13:00 dhe janë afruar drejt pikave kufitare në Merdarë dhe Dheu i Bardhë, por pa kaluar urat ku një javë më parë ishin konfrontuar me policinë e Kosovës. Aktivistët që janë nisur nga pika kufitare në Merdare, janë ndaluar nga policia në vendin e quajtur “Dy Urat”, në dalje të Podujevës, përtej kryqëzimit ku kishin ndodhur përplasjet e javës së kaluar. Policia ka bërë një kordon në mes të dy urave, duke mos lejuar depërtimin e protestuesve nga pika kufitare me Serbinë. Protestuesit kanë brohoritur “Vetëvendosje”, “Albin Kurti”, “Serbia nuk kalon”, por nuk kanë provokuar fizikisht policinë dhe as nuk janë provokuar prej saj.
Thirrje për qetësi
Deputeti Florin Krasniqi i Vetëvendosjes, duke iu drejtuar protestuesve në Merdare, ka kërkuar protesta plotësisht paqësore dhe nëse ka “individë që nuk duan të jenë paqësorë, ata nuk janë me ne”. Krasniqi, duke pasuar edhe deklarata e Kurtit, tha se: “Këta policë janë vëllezërit tanë dhe gabimet që i kanë bërë disa kolegë të tyre, nuk do t’i bëjnë sepse nuk janë policë të qeverisë, por të shtetit të Kosovës”, tha Krasniqi. Policia konfirmon se nuk ka pasur përplasje mes tyre dhe se qarkullimi është i lirë në të dyja rrugët.
Bllokohen 7 orë mbështetësit e VV
Aktivistët: Nxorën pretekste burokratike që të na ndalonin t’i bashkoheshim protestës
Morin, policia kosovare i ndalon në kufi. Hyjnë vetëm në orën 17:00

Bllokohen 7 orë në kufi me Kosovën mbështetësit shqiptarë të Vetëvendosjes. Një pritje e gjatë ka qenë ajo e rreth 60 personave të nisur me 2 autobusë nga Tirana drejt pikave kufitare me Serbinë, me qëllim bashkimin e tyre në protestën e paralajmëruar “Serbia nuk kalon”. Ashtu si dhe më 14 janar, ata janë ndalur në pikën kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës. Por ndryshe nga një javë më parë, ata janë lënë të kalojnë, vetëm si individë rreth orës 17:00 të pasdites. Ka qenë policia e Kosovës në pikëkalimin kufitar të Morinit që nuk ka lejuar të rinjtë që kishin udhëtuar nga Tirana t’i bashkëngjiten protestës së “VV” në Merdarë dhe Dheun e Bardhë. Për orë të tëra, protestuesit kanë sfiduar të ftohtin e madh përballë policëve të Kosovës. Rreth orës 11:00, policia e kufirit në Morin ka lejuar që dy autobusët të kalojnë kufirin, por më pas, gjatë kontrollit të dokumentacionit, ka nxjerrë sërish burokraci, duke i kthyer mbrapsht të rinjtë me flamuj kuq e zi. Të rinjtë kanë qëndruar për orë të tëra në pritje për të kaluar, por më kot. Madje, tentativat e tyre kanë përfunduar me tre të ndaluar për pak orë: Elvis Hoxha, Bojken Abazi dhe Ermir Harhulla. Ky i fundit, pas lirimit tha për gazetën “Panorama”: “Isha i pari në radhë për të kaluar, me një shoqen time dhe policia më ndaloi, thjesht se mbaja flamurin shqiptar. Na morën në pyetje për adresat, qëllimin pse shkojmë në Kosovë. Nuk na kanë dhunuar, por gjatë arrestimit na shtrënguan fort nga duart. Më pas na liruan”. Duke brohoritur dhe kënduar këngë patriotike, të rinjtë nga Shqipëria kanë qëndruar gjatë gjithë ditës përballë forcave të policisë, që për asnjë arsye nuk i kanë lejuar të futen në Kosovë, qoftë dhe si qytetarë të thjeshtë. Shkak ligjor, sipas protestuesve, nuk ka pasur, por thjesht janë nxjerrë pengesa burokratike dhe kërkesa absurde që të mos lejohet kalimi i tyre në Kosovë. Një nga udhëheqëset e grupit, Ermira Danaj, tha se aktivistët nuk u lejuan, edhe pse nuk kishte shkak. “Kërkuan libreza shëndetësore për shoferët e autobusëve, por më pas, edhe pse i lamë autobusët nuk na lanë as si qytetarë të thjeshtë për të hyrë në Kosovë. Qëllimi ynë është i hapur: Shkojmë për të mbështetur Vetëvendosjen në protestat e saj në kufi me Serbinë. Ne u thamë dhe policëve se kjo që po bëjnë është absurde, se është dhënë urdhër nga qeveria “Thaçi” që ne të mos kalojmë. Ne kemi gjithë dokumentacionin e duhur për të kaluar qoftë me autobus, qoftë dhe si udhëtarë të thjeshtë”. Ndërkohë, shoferët e autobusëve sqaruan se kërkesa për librezë shëndetësorë ishte pretekst i kotë, pasi ata kishin rinovuar lejet e drejtimit që një muaj më parë dhe në këtë rinovim pasqyrohen edhe të gjitha analizat dhe vizitat mjekësore, të bëra në Shqipëri. Deri në orën 17:00, mbështetësit kanë qëndruar në kufi, pavarësisht temperaturave të ulëta. Në këtë moment është lejuar kalimi i tyre, jo të organizuar, por si qytetarë të thjeshtë dhe pa simbolet kombëtare në duar.
Policia dhe protestuesit, në deklarata kundërthënëse
Deklaratat e Policisë së Kosovës kanë rënë ndesh me ato të protestuesve të Vetëvendosjes, gjatë ditës së diel. Vetëvendosje e cilësoi të suksesshëm reciprocitetin deri në orët e pasdites, duke deklaruar se nuk ka hyrë asnjë makinë apo kamion nga Serbia në Kosovë. Ndërkohë, pak minuta më vonë, Policia e Kosovës ka dalë me një deklaratë ku numëronte kalimin e pesë kamionëve në Merdarë dhe tre të tjerë te Dheu i Bardhë, pikërisht në rrugët që duhej të ishin bllokuar nga protestuesit. Policia e Kosovës i ka përgënjeshtruar deklaratat e përfaqësuesve të Vetëvendosjes, se në Merdarë nuk ka kaluar asnjë kamion nga Serbia, kurse te Dheu i Bardhë ka hyrë vetëm një maune. Sipas Policisë, gjatë ditës së djeshme e në pikëkalimin kufitar në Merdarë kanë kaluar pesë kamionë me mallra të ndryshme, si dhe tre kamionë të tjerë kanë kaluar nëpër pikëkalimin kufitar, Dheu i Bardhë. Në një tjetër deklaratë kundërthënëse, Policia e Kosovës ka komunikuar arrestimin e një anëtari të lëvizjes Vetëvendosje, i cili sipas tyre ka sulmuar një makinë private gjatë rrugëkalimit të Dheu i Bardhë. Por Vetëvendosje e ka mohuar këtë, duke konfirmuar se asnjë nga protestuesit e saj nuk është arrestuar dhe asnjëri prej tyre nuk ka kryer ndonjë akt të dhunshëm. Ata kanë rimbështetur deklaratat e para, se protesta e tyre do të jetë e qetë dhe pa dhunë, dhe se kushdo që tenton të përdorë akte të dhunshme, nuk është pjesë e protestës së tyre.
Pjesëmarrja
Pjesëmarrja në protestën e Vetëvendosjes ka qenë e diskutueshme. Ndërsa shumë media shkruajnë se protestuesit kanë qenë më të shumtë në numër se në tubimin e 14 janarit, të tjera citojnë se numri i tyre ka qenë më i vogël. Disa media lokale thonë se mbi njëmijë veta ishin grumbulluar që në mëngjes dhe se numri i tyre do të shtohej gjatë ditës. Por nuk ka shifra zyrtare për numrin e pjesëmarrësve në protestë. Nga Vetëvendosje deklarojnë se ata janë më shumë në numër se protesta e 14 janarit.
Udhëzohen gazetarët
Nëpërmjet një komunikate-raport, Policia e Kosovës udhëzoi përfaqësuesit e mediave se si të sillen gjatë protestës së Vetëvendosjes. “Policia e Kosovës mundëson të drejtën e mediave për të raportuar në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me opinionin, si dhe publikimin e informatave deri në kufijtë ku nuk cenohet e drejta e individit, nuk pengohet ndjekja e hetimi i veprës inkriminuese ose nuk ndërhyn në procesin e zbatimit të ligjit. Ky raport synon t’i shërbejë sigurisë tuaj, si dhe të shmangë incidentet dhe pengimin në kryerje të detyrave të ndërsjella”, citon raporti, që u vlerësua nga mediat si kufizues i lëvizjes në vendngjarje.
Reagimi i AGPK
Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës ka reaguar nga paralajmërimet e Policisë së Kosovës. “Gazetarët, kameramanët, fotoreporterët dhe përfaqësuesit e tjerë të mediave gjenden në Merdarë dhe tek Dheu i Bardhë për të informuar opinionin me atë se çfarë po ndodh. Policia nuk mund t`u caktojë lokacion gazetarëve. Është e papranueshme që policia të kërcënojë me një komunikatë se lëvizja e gazetarëve mund të jetë vepër e kundërligjshme. Gazetarët duhet të jenë aty ku zhvillohet ngjarja dhe policia nuk mund t`ua ndalojë një gjë të tillë”, thuhet në reagimin ku kujtohet që gazetarët të mos sulmohen nga policia.Qeveria e Kosovës: “Protesta është e panevojshme, kundër vendimit të Kuvendit”
Qeveria e Kosovës e ka cilësuar krejtësisht të panevojshme dhe të padrejtë protestën e Vetëvendosjes, duke kujtuar se protesta po bie në kundërshtim me vendimin e Kuvendit, i cili e ka cilësuar si të gabuar ligjin e reciprocitetit me Serbinë. Qeveria e Kosovës deklaroi dje se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e drejtë e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. “Kjo e drejtë nuk do të vihet asnjëherë në pikëpyetje, mirëpo një gjë e tillë nuk mund të keqpërdorët nga askush dhe për asnjë qëllim”, thuhet në reagimin e qeverisë. “Qeveria është duke ndjekur nga afër zhvillimet që ndërlidhen me protestën politike të Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo protestë, që është krejtësisht e panevojshme dhe në kundërshtim me vendimet e Kuvendit, ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe mallrave, mirëpo policia e Kosovës është përkujdesur që liria e lëvizjes të jetë e garantuar dhe që rrugët të mos bllokohen”, thuhet më tej në komunikatë, dhe shtohet se ajo i jep mbështetje të plotë PK-së për moslejimin e bllokimit të rrugëve, pengimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe të mallrave, apo marrjen nën kontroll të pikave kufitare shtetërore.Ish-kreu i OSBE-së monitoron situatën: Protesta legjitime
Ish-kreu i misionit të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, William Walker, e cilësoi protestën e Vetëvendosjes një të drejtë legjitime të qytetarëve. “Jam këtu, ashtu sikur para 12 vjetësh, për të parë vetë dhe verifikuar se çka po ndodh me këtë protestë. Nuk isha këtu javën e kaluar, për të cilën kam dëgjuar versione të ndryshme, një rrëfim nga qeveria e një tjetër nga organizatorët e protestës, prandaj erdha për të parë vetë se a është një protestë paqësore dhe reagimin e policisë. Jam si verifikues, ashtu sikur isha para 12 vjetësh, me pëlqen ta quaj edhe sot veten kështu. Deri më tani nuk kam parë dhunë, natyrisht po shoh shumë njerëz, te cilët besoj se kanë të drejtën legjitime për të protestuar, gjithashtu policë që kanë të drejtën e tyre për t’i kontrolluar këto rrugë. Unë sinqerisht besoj në të drejtën qytetare për të protestuar”, u shpreh Walker.Kusari-Lila: Bllokadë
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, i vlerësoi veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje si të palidhura me vendosje të reciprocitetit me Serbinë. “Ajo çfarë po ndodh s’ka lidhje me reciprocitet. Kjo është bllokadë. Dua të them se kjo formë nuk është e duhura dhe nuk do ta ketë efektin të cilin synohet të arrihet”, tha Kusari-Lila, në një prononcim për KTV-në. Sipas saj, mallrat serbe nuk bllokohen nëse bllokohen dy pikëkalimet kufitare, ajo e Merdarës dhe Dheut të Bardhë. “Çdo firmë që importon mallra nga Serbia, mund ta bëjë këtë përmes pikave të tjera kufitare, siç janë pikat me Maqedoninë apo me Malin e Zi”, shtoi ajo.Thirrja e AAK-së
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e para parti opozitare që ka reaguar në lidhje me aksionin e Vetëvendosjes, kërkoi qetësi dhe evitimin e dhunës gjatë protestave në Dheun e Bardhë dhe në Merdare. “AAK shpreson që protesta, si e drejtë e patjetërsueshme qytetare, të jetë e qetë dhe pa incidente dhe, në të njëjtën kohë, shpreson që sot të mos përsëriten, si në javën e kaluar, skenat e njëjta të dhunës mbi protestuesit, të cilët janë qytetarë të Kosovës. AAK konsideron se vendimet e dala nga institucionet tona duhet të implementohen, po ashtu, nga institucionet e Kosovës dhe brenda tyre, sepse ato janë të obliguara për këtë”, thuhet në njoftim.Analistët: U harruan barrikadat
Rrugët në Veri të Kosovës vazhdojnë të mbeten të bllokuara dhe qeveria i ka lënë ato në hije duke u marrë me “sherrin” me Vetëvendosjen për reciprocitetin. Analistët në Kosovë e quajnë çështjen e Veriut problemin më të madh që ka aktualisht vendi. Sipas deklaratave analitike në gazetën “Zëri”, qeveria e Kosovës nuk e ka fuqinë e duhur që t’i heqë barrikadat në Veri, pamundësia e saj që ta kontrollojë tërë territorin e saj, po bën që të merren me protestat e Vetëvendosjes.
JONUZ HALLAÇI
© Panorama.al











