
Thaçi fton liderët e protestës në zyrë: Mos i bëni “gjyq” policisë
Me gjithë thirrjet brenda dhe jashtë vendit për mosmbajtjen e një proteste të re në kufirin me Serbinë më 22 janar, Vetëvendosje ka vendosur të mos tërhiqet nga ky plan. Në përpjekje për ta evituar protestën e Vetëvendosjes, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ftoi drejtuesit e kësaj lëvizjeje për të biseduar në zyrën e tij mbi zgjidhjen e problemeve, dhe jo në rrugë. “I ftoj që të mos e bartin politikën në rrugë. Zyra ime ka qenë dhe është e hapur për Vetëvendosjen. Të shmanget dhuna dhe rruga e ta zhvillojmë debatin në institucione”, tha Kryeministri Thaçi. Por drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje janë shprehur se nuk kanë ndër mend të heqin dorë nga protesta e 22 janarit. Dardan Molliqaj nga ky subjekt politik ka theksuar se dallimi i vetëm i organizimit të protestës së datës 22 me atë të 14 janarit, mund të jetë masiviteti, duke besuar se edhe më shumë njerëz do t’i përgjigjen thirrjes së Vetëvendosjes për bllokimin e rrugëve për mallrat e Serbisë, që provojnë të futen përmes kalimeve kufitare Merdarë dhe Dheu i Bardhë. “Do të rrimë aty, derisa qeveria e Kosovës të zbatojë vendimin e Parlamentit të Kosovës për reciprocitetin”, tha ai për REL. Për protestën e 14 janarit dhe akuzat e Vetëvendosjes e Avokatit të Popullit, se policia ka përdorur dhunë të panevojshme dhe joproporcionale kundrejt protestuesve, Kryeministri Thaçi vlerësoi se “gjyqi” që po i bëhet Policisë së Kosovës për ngjarjet e 14 janarit është i papranueshëm. “E ardhmja e Kosovës europiane është që të hapen kufijtë, e jo të mbyllen”, tha Thaçi. Për akuzat e Vetëvendosjes për dhunë të ushtruar nga Policia e Shtetit në protestën e 14 janarit, ka folur edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Ai tha se për këtë çështje Vetëvendosje duhet t’i drejtohet sistemit të Drejtësisë.
Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, po tenton të ulë partitë politike dhe subjektet e tjera relevante në një tryezë bisedimesh para 22 janarit, në mënyrë që të shmangen protestat dhe dhuna, siç ngjau më 14 janar. Megjithatë, Vetëvendosje njoftoi se nuk ka marrë asnjë thirrje Presidenca dhe se bisedimet me Presidenten nuk mund ta zhbëjnë mocionin e Kuvendit të Kosovës për reciprocitet me Serbinë.
© Panorama.alMalstrom në Kosovë
Kosova nis sot rrugëtimin drejt liberalizimit të vizave. Për dy ditë, komisionerja e Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave do të jetë në Kosovë për të diskutuar mbi reformat që duhen ndërmarrë, që edhe shtetasit kosovarë të udhëtojnë pa viza në Europë. Politikanët në Kosovë e kanë cilësuar vizitën e Malstrom nisje të një kapitulli historik për europianizimin e Kosovës.











