Komandanti i KFOR-it, gjenaral majori Erhard Drews, të martën ka vizituar Ferizajn dhe me kryetarin e Ferizajt, Bajrush Xhemajli, kanë biseduar për reflektimet e mundshme të situatës në veri të vendit në komunat e tjera, shkruan “Koha Ditore”.
Pasi këtu e ka vlerësuar situatën të qetë, i pyetur nga gazetarët se çfarë të reja sillte në Ferizaj nga Mitrovica, komandanti Drews theksoi se atje “Kemi problem me lëvizjen e lirë për të gjithë njerëzit, por besoj se do të zgjidhet me dialog”.
Duke rikujtuar se misioni i KFOR-it është të sigurojë një lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët dhe se ky problem duhet të zgjidhet me dialog, ai ka sqaruar se “nëse jo kështu, atëherë detyrë imja dhe e KFOR-it është ta zgjidhi me mjetet e mia, por unë ende mendoj se mund të zgjidhet pa forcë”.
Ndërkaq në pyetjen se a ndien veten të zënë në mes akuzash dhe dilemash që të përdorë forcë qoftë edhe të tepruar apo të mos veprojë dhe në fakt kënd po e pret gjenerali – politikën apo qytetarët , Drews u përgjigj se “nëse e vështroni historinë shumica apo të gjithë gjeneralët kanë vepruar nga presioni politik që është ushtruar mbi ta, se sa nga iniciativa e tyre, mirëpo oficerët profesionalë e përdorin forcën vetëm atëherë kur llogarisin se do të kenë sukses. Por, as rajoni dhe as vendi nuk janë në gjendje lufte, por i shërbejnë paqes, mirëpo jemi të gatshëm të mbështesim çdo zgjidhje politike”.
Drews kësaj radhe nuk ka qenë në gjendje as të japë afate dhe as t’i parashikojë ato për heqjen e barrikadave.
“Nuk ka afate. Unë nuk kam vendosur asnjë afat”, ka thënë ai shkurt. Kurse për mundësinë eventuale të ndonjë kundërveprimi të qytetarëve shqiptarë, komandanti i KFOR-it Drews është shprehur: ” Nuk besoj që shumica, popullata shqiptare do ta humbë durimin e vet. Çdo reagim i popullatës shqiptare do ta përkeqësonte situatën ndëretnike”.
Kryetari i Ferizajt sqaroi se gjatë takimit ishin diskutuar shumë çështje me peshë për aspektin e sigurisë dhe se e kishte informuar gjeneralin e KFOR-it edhe për disa vjedhje që janë bërë në Babush dhe Bablak, nëpër shtëpitë e rindërtuara për kthimin e serbëve lokalë, duke e siguruar atë se ato nuk kanë pasur karakter politik.
© Panorama.al











