Gjykata e Posaçme ka shpallur sot fajtor dhe dënuar me burg një të pandehur për korrupsion aktiv ndaj funksionarëve publikë, duke ofruar legalizime në këmbim të votave.
I dënuari është Ylli Baruti, ndaj të cilit pas pretencës së SPAK u dhanë 1 vit e 6 muaj burg.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi zbriti me një të tretën duke u bërë 1 vit izolim dhe bazuar në Nenin 59 të Kodit penal u konvertua në 2 vite shërbim prove.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme:
- “Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 100, i vitit 2020, në ngarkim të të pandehurit Ylli Baruti, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 224 i Kodit Penal, para ndryshimeve të bëra me ligjin nr. 43, të vitit 2021 dhe neni 25 i Kodit Penal”.
- Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engjëllushe Tahiri, Besmir Stroka dhe Etleva Deda, me vendimin nr.26, datë 30.03.2026 vendosi:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Ylli Baruti për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, 25 i K.Penal, para ndryshimeve të bëra me ligjin nr. 43, të vitit 2021 dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 vit e 6 muaj burgim.
- Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, ulja e 1/3 së dënimit me burgim dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit Ylli Baruti me 1 vit burgim.
- Në aplikim të nenit 59 të K.Penal, pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim për të pandehurin Ylli Baruti dhe vënien e tij në provë për një periudhë prej 2 vitesh, dyfishi i masës së dënimit.
- Urdhërohet i pandehuri Ylli Baruti të mbajë kontakte me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës, të mos shoqërohet me persona të dënuar.
- Shpenzimet hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të të pandehurit.
- Kundër vendimit mund të bëhet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, duke filluar afati nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës”.













