Vendet “më të arta” të botës, ja cilat zotërojnë metalin e fuqisë

Sep 9, 2011 | 11:17

Ari ka qenë një nga elementet më të çmuara që në kohërat e lashta, atëherë kur inkasit dhe Mbreti Tutankhamen, siç tregon historia, e kanë përdorur atë si simbol pasurie dhe fuqie.Gjërat nuk kanë ndryshuar shumë edhe sot. Edhe pse ari nuk përdoret për të mbështetur monedhat, është ende në rezervat e vendeve rreth botës e, duke parë se çmimi i tij së fundmi është rritur në mënyrë dramatike, rezervat shprehen në tonë metrik (ose tonë), siç dokumentohet nga Këshilli Botëror i Arit, në gushtin e 2011-s. Ndër vendet që kanë rezervat më të mëdha të arit janë Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Italia, Franca, Kina etj. Ja renditja e dhjetë vendeve me rezervat më të mëdha të materialit të çmuar.
SHBA – 8133.5 tonë
Ndërsa SHBA i ka braktisur standardet e arit ne vitin 1971, ka rezervat më të mëdha krahasuar me çdo vend tjetër. Pjesa më e madhe e arit mbahet në “Fort Knox”, në Kentaki, por ka edhe rezerva në “U.S. Mints” në Filadelfia, Denver etj.
Gjermania – 3401.0 tonë
Banka Qendrore Gjermane, “Deutsche Bundesbank” në Frankfurt, është menaxherja e rezervave të vendit. Megjithatë, ka raportime se sasia më e madhe e arit gjerman është në mbrojtje fizike të “New York Federal Reserve”.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) – 2846.7 tonë
FMN vëzhgon aktivitetin ekonomik të 187 vendeve anëtare. Ndërsa politikat e saj për arin kanë ndryshuar gjatë kohës, rezervat kanë si synim të ndihmojnë ekonomitë nacionale dhe të stabilizojnë tregjet ndërkombëtare. Në varësi të kushteve të tregut, ajo do të blejë apo shesë sasi të rezervave të saj në mbështetje të iniciativave specifike ekonomike.
Italia – 2451.8 tonë
Rezervat e Italisë mbahen dhe menaxhohen në “Banca D’Italia”. Italia është një nga vendet që rrezikohet nga kriza e borxhit. Parlamenti ka aprovuar masat e kursimit në këmbim të asistencës financiare, por vendi është përfshirë edhe në krizë politikë, që ka në qendër kryeministrin Silvio Berluskoni.
Franca – 2435.4 tonë
“Banque de France” është depozita qendrore për rezervat e arit në Francë. Pas Luftës II Botërore, marrëveshja “Bretton Woods” vendosi një standard që e fiksonte dollarin në kursin e këmbimit 35 dollarë (USD) për ons (28.4 gram). Presidenti Charles de Gaulle pakësoi rezervat e dollarit francez, duke i shkëmbyer ato me ar nga “Fort Knox”. Si rezultat i këtij veprimi dhe kushteve të tjera ekonomike, Presidenti amerikan Richard Nixon i dha fund këmbimit të dollarit me ar në vitin 1971.
Kina – 1054.1 tonë
Ndërsa vendi me popullsinë më të madhe në botë renditet i gjashti në listën e rezervave totale të arit, ari llogaritet vetëm 1.6 për qind e rezervave të huaja të Kinës. Kina është prodhuesi më i madh i arit në botë dhe mund të blejë ar nga minierat e saj, pa i raportuar ato transaksione publikisht. Për shkak të mundësisë së transaksioneve “të vjedhura”, rezervat totale të arit në Kinë dhe çmimi me të cilin paguhen janë të paqarta.
Zvicra – 1040.1 tonë
Renditja e Zvicrës në vendin e shtatë në këtë listë është e vlerësueshme, duke marrë parasysh se ajo renditet në vendin e 38-të për ekonomitë më të mëdha në botë. “Swiss National Bank” ka për detyrë të menaxhojë rezervat e arit dhe politikën monetare të vendit.
Rusia – 775.2 tonë
Rezervat e arit rus janë në mbrojtje të Bankës Qendrore të Federatës Ruse. Vendi i ka rritur rezervat me blerje në 21 për qind gjatë vitit 2009, ndërsa ka hapur disa miniera, dhe 24 për qind në vitin 2010. “Wall Street Journal” ka raportuar se Rusia ka në plan të blejë 90 tonë në vit për të mbushur rezervat e saj.
Japonia – 765.2 tonë
Ari vlerësohet për vetëm 3.3 për qind të rezervave të jashtme të Japonisë, të cilat menaxhohen nga Banka e Japonisë.
Holanda – 615.5 tonë
Rezervat e arit dhe financat nacionale menaxhohen nga Banka e Holandës.
Pronarët më të mëdhenj të arit janë qeveritë, bankat qendrore dhe entitetet internacionale, që aktualisht llogariten për 30500, nga 160000 të llogaritura në botë. Aktualisht prodhohen 2497 tonë ar në vit. Çmimi i tij ka arritur majat dhe do të mbetet gjithnjë një investim i sigurt gjatë kohëve të paqarta ekonomike.

Nga erdhi në Tokë

I gjithë ari dhe platini i botës kanë ardhur nga hapësira, pasi një dush gjigant meteoritësh u përplas në Tokë më shumë se katër miliardë vjet më parë. Shkencëtarët kanë zbuluar se ka mjaftueshëm ar dhe platin në koren e Tokës, sa mund të mbulohet e gjithë sipërfaqja e planetit me një shtresë në trashësi katër metra. Ari u shfaq gjatë formimit të Tokës, kur metali i shkrirë u zhyt në qendrën e saj.

© Panorama.al

Te lidhura