Vëlla e motër në varr pranë njëri-tjetrit në Shëngjin

Jul 16, 2012 | 14:31

Familjarë të viktimave në ceremoninë e djeshme

Familja nga Italia merr viktimën Luigi Benincassa.

Shmanget banesa e prindërve që u bë shkak i tragjedisë, trupat kalojnë natën në shtëpizën-kabinë.

Motër e vëlla varrosen pranë njëri-tjetrit në Shëngjin. Trupat e tyre kaluan natën në një dhomëz të ndërtuar nga Sandër Ndoj për ta dhënë me qira për pushuesit. Fqinjë të viktimave bënë të ditur se kjo është bërë me qëllim për të evituar vendosjen e dy arkivoleve në shtëpinë e prindërve të tyre, banesë për të cilën nisi edhe konflikti 10-vjeçar mes vëlla e motër, duke përfunduar në tragjedi.
CEREMONIA
Familja, si dhe qindra të afërm e banorë të zonës, përcollën dje në banesën e fundit Sandër dhe Dana Ndojin, 49 dhe 48 vjeçe. Ceremonia mortore u zhvillua në oborrin e pallatit ku kishin jetuar motër e vëlla, ndërsa të afërm dhe qytetarë të Shëngjinit ngushëlluan familjen për humbjen që pësuan. Krimi i rëndë, ku Sandër Ndoj, efektiv në burgun e Shënkollit, vrau me armën e shërbimit motrën, kunatin italian Luigi Benincassa, plagosi nipin 9-vjeçar e në fund vrau edhe veten, ka lënë të shokuar vëllain dhe 5 motrat e viktimave. Ata nuk janë përmbajtur në ceremoninë e djeshme mortore, ndërsa qindra banorë të Shëngjinit i ngushëlluan për tragjedinë e rëndë familjare. Sandër dhe Dana Ndoj u përcollën për në banesën e fundit në Varrezat e Shëngjinit, ndërsa trupi i pajetë i Luigi Benincassa mësohet se është nisur për t’i dhënë lamtumirën e fundit pranë familjes së tij në Itali. Ndërkaq, asnjë i afërm apo familjar i viktimës nga Italia nuk ka ardhur për të ngushëlluar familjen mike, për humbjen e jetës së gruas së Benincassa-s dhe vëllain e saj. Por as për plagosjen e nipit të tyre 9-vjeçar.
KONFLIKTI

AUTORI I MASAKRES SE TREFISHTE BRENDA FAMILJES, SANDER NDOJI

Megjithëse me akuza të forta ndaj saj, Mimoza Ndoj, bashkëshortja e Sandër Ndojt, ishte prezente në ceremoninë mortore së bashku me dy fëmijët e saj. Por ajo nuk pati kontakte me asnjërën nga kunatat, të cilat e akuzojnë si shkaktare të tragjedisë në familjen e tyre, që përfundoi me 3 të vdekur dhe një fëmijë 9-vjeçar të plagosur rëndë. Asnjë reagim nuk ka ardhur në drejtim të saj, kjo për faktin që të lejohej për t’i bërë nderimet e fundit bashkëshortit të saj. Banorë të Shëngjinit ashtu si edhe të afërm të viktimave kanë shprehur habinë e madhe të asaj çfarë ndodhi mëngjesin e të shtunës, duke e konsideruar aktin vrasës dhe vetëvrasës të Sandër Ndojit si ngjarjen më të rëndë që ka ndodhur në Shëngjin. Tashmë e gjithë vëmendja është te nipi 9-vjeçar, i cili vazhdon të jetë nën terapinë intensive të mjekëve. Trupat e pajetë të Sandër dhe Dana Ndojit kanë qëndruar edhe gjatë natës të së shtunës në të gdhirë të së dielës në shtëpizën e ndërtuar nga autori i krimit, Sandër Ndoj. Familjarët e tyre nuk i kanë çuar arkivolet me trupat e tyre

Bashkëshortët Luigi dhe Dana, të vrarë nga vëllai i saj, Sandër Ndoji

në banesën e prindërve, për të cilën ata u konfliktuan vit pas viti dhe u bë shkak i ngjarjes tragjike. Pasi u mbajt për rreth 16 orë e shoqëruar në polici, bashkëshortja e viktimës, Moza Ndoj, është lënë e lirë për të kryer ritet për varrosjen, ndërsa sipas burimeve nga grupi i hetimit nuk ka pasur asnjë motiv për të cilin ajo të akuzohej si shkaktare e tragjedisë. Debati ndemjet vëllait e motrës nisi pasi kjo e fundit i kërkonte shtëpinë ku ai jetonte, pasi pretendonte se prindërit ia kishin lënë asaj.

LEZHE/ GJERGJ FIGURI

© Panorama.al

Te lidhura