Cilësuar si një nga lojtarët me më shumë peshë në formacion e Flamurtarit dhe natyrisht me eksperiencë, pavarësisht moshës së tij të re, Franc Veliu e cilëson ndeshjen përballë Jablonec si momenti më i mirë kur Flamurtari mund të synojë edhe kalimin për në turin e tretë. “Të them të drejtën, më duket një ndeshje e vështirë, por jo e pamundur. Ekipi është në një formë të mirë, ndeshja e kontrollit na orientoi më drejtë. Po stërvitemi intensivisht, jemi në një formë të mirë, do të rikuperojmë gabimet teknike që u vunë re në ndeshjen e fundit me Buduçnost. Ky është një moment i mirë për Flamurtarin dhe një mundësi shumë e shkëlqyer për synimet në të ardhmen. Është e rëndësishme që të kalojmë në turin tjetër”, ka pohuar Veliu. Në fund, mbrojtësi ka kërkuar mbështetjen e publikut vlonjat për të pasur një ndihmë psikologjike më shumë në stadium. “I falënderoj tifozët për mbështetjen dhe mendoj se prezenca e tyre në stadium gjatë ndeshjes apo edhe në seancat stërvitore na motivon më tepër. Ne do t’ua kthejmë këtë mbështetje me lojën e bukur, pse jo edhe me një rezultat pozitiv, pra me një fitore”, përfundon Valiu.
Orahovac
Mesfushori i Buduçnostit, Orahovac është në fokusin e Flamurtarit për kampionatin e ardhshëm. Lojtari në fjalë ka bërë një paraqitje të mirë, aq sa drejtues të ekipit kanë nisur të mendojnë për ta pasur pjesë të tyre. Megjithatë, për gjithçka do të lihet të vendoset pas përfaqësimit të Flamurtarit në Kupat e Europës dhe më pas mund të flitet me saktësi.











