Gjykata Administrative do të zhvillojë më 3 prill seancën përgatitore lidhur me kërkes padinë e Erion Veliajt për prokurorin Ols Dado.
Kryebashkiaku pretendon se Dado është emëruar prokuror në kundërshtim me ligjin pasi nuk plotësonte kriteret ligjore në atë kohë.
Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari Hazbi Balliu, i cili pak kohë më parë u targetua nga kryeministri Edi Rama.
Padia e Veliajt
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj depozitoi më 23 janar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, një kërkesë-padi kundër institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë të vitit 2007-2012 dhe prokurorit të Posaçëm, Ols Dado, duke kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të këtij të fundit si prokuror nga noter që ishte në vitin 2008.
Sipas padisë emërimi i prokurorit është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit ai nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit.
Veliaj kërkon gjithashtu, që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit dhe ushtrimit në mënyrë të paligjshme të detyrës të prokurorit në fjalë.
“Presidenti i Republikës ka lëshuar një dekret në kundërshtim të hapur me dispozitat urdhëruese procedurale të ligjit nr. 8737, duke realizuar një emërim pa bazë ligjore dhe në mungesë të kompetencës materiale ratione personae për të emëruar një subjekt që nuk përmbushte kriteret e ligjit. Ky fakt përbën një shkelje flagrante të rendit juridik dhe një rast tipik të pavlefshmërisë absolute të një akti administrativ, në kuptim të nenit 108 të Kodit të Procedurave Administrative, pasi: (i) akti është nxjerrë në kundërshtim flagrant me normat urdhëruese të ligjit; (ii) personi i emëruar nuk plotësonte kushtet e përgjithshme dhe të posaçme ligjore; dhe (iii) organi publik ka ushtruar kompetencën e tij për emërim në shkelje të kushteve procedurale të vlefshmërisë së aktit, duke e bërë dekretin juridikisht të paefektshëm dhe nul abinitio”, thuhet në kërkesë padi.
Kush eshte gjyqtari i çështjes
Më 1 gusht 2025 kryeministri Rama etiketoi gjyqtarin Hazbi Balliu duke e renditur atë në të ashtuquajturën ‘llogore të antiligjit”.
Arsyeja lidhej me një vendim për sigurim padie me qëllim mostjetërsimin e një godine të konfiskuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes në rrugë gjyqësore.
“Kemi bërë konfiskime dhe do të vazhdojmë të bëjmë, pavarësisht se rrugës na del edhe ndonjë gjykatës i pacipë, krejtësisht i pacipë që merr masë sigurie për një pallat të ndërtuar pa leje…,” shkroi Rama në atë kohë.
I kontaktuar nga BIRN, gjyqtari Hazbi Balliu tha se ndryshe nga sa pretendonte kryeministri, vendimi i tij nuk hiqte konfiskimin mbi godinën, por pezullonte tjetërsimin e saj.
“Vendimi është një sigurim padie, përndryshe nga sa thotë kryeministri, nuk heq konfiskimin, thjesht u lejon pronarëve të kontestojnë në rrugë gjyqësore rastin, duke pezulluar ekzekutimin e vendimit të Komisionit të Objekteve të Konfiskuara,” tha ai.
© Panorama.al












