Vdes nga temperatura, panik në fshatin Librazhd-Qendër

Jan 5, 2012 | 13:28

Fatos Allkja, pacienti në spitalin e Librazhdit

Të shtruar në spital, tre pacientë me të njëjtat simptoma. Mjekët: Gjendje gripale. Banorët: Nga ndotja e zonës.

Tre pacientë të shtruar në spitalin e Librazhdit nga fshati Librazhd-Qendër kanë sjellë ankth te banorët e zonës, 10 km nga qyteti. Ndonëse mjekët dyshojnë për virozë gripale, rasti i humbjes së jetës së 21-vjeçares Blerina Balla më 2 janar ka shkaktuar panik tek familjet që jetojnë në të njëjtin fshat. Në spitalin e rrethit të Librazhdit janë shtruar me të njëjtat simptoma si viktima edhe tre të rinj po nga ky fshat. Dy prej tyre janë motër e vëlla, pikërisht Flutura Allkja, 19 vjeçe dhe vëllai i saj, 28-vjeçari Fatos Allkja. Sipas shefit të pavijonit të spitalit të Librazhdit, Gjergji Dhomo, gjatë ditës së martë është shtruar edhe një 19-vjeçare nga ky fshat me simptomat gripale të shfaqura tek pacientja që humbi jetën dy ditë më parë, por ndërhyrja mjekësore tregon që të shtruarit e fundit kanë një përmirësim të ndjeshëm të shëndetit.
Një ditë më parë në spitalin e rrethit të Librazhdit ka mbërritur edhe një grup nga Instituti i Shëndetit Publik, i cili ka marrë kampione për analiza më të specializuara, si edhe është njohur më nga afër me kartelën e 21-vjeçares, e cila ndërroi jetë teksa po e fusnin në urgjencën e spitalit të Elbasanit rreth orës 02:30 të mëngjesit së të martës. Blerina Balla që nga fundi i vitit, më 30 dhjetor, kishte temperaturë të lartë dhe vetëm në datën 2 dhjetor të këtij viti ajo u shtrua në spitalin e Librazhdit. Duke parë se gjendja e saj ishte përkeqësuar, prindërit dhe stafi mjekësor e dërguan në Elbasan. Drejtori i Qendrës Spitalore, Pjerin Xhuvani, deklaroi se: “21-vjeçarja vdiq sapo zbriti nga mjeti tip ambulancë që u transportua nga Librazhdi. Stafi mjekësor i urgjencës nuk bëri asnjë ndërhyrje ndaj saj, pasi ishte e kotë”. Vdekja e së resë nga fshati Librazhd-Qendër, veç dhimbjes për humbjen e vajzës, ka shkaktuar shqetësim të madh te banorët që dyshojnë se mund të jetë një epidemi, burimin e së cilës nuk dinë ta shpjegojnë. Pacienti Fatos Allkja, i cili është shtruar në spital me diarre, të vjella dhe temperaturë, pak orë pasi kaloi nga gjendja kritike jep një motiv që sipas tij shkaktoi këta pacientë brenda pak ditësh. Sipas tij, situata e ditëve të fundit gripale mund ta ketë prejardhjen nga ndotja që aktualisht është në fshat, për shkak të djegies së mbeturinave urbane që hidhen nga Bashkia e Librazhdit. Edhe e ëma e 28-vjeçarit, e cila ndodhet në spital duke u kujdesur për djalë e vajzë, shpreh të njëjtin fakt. “Ishim në varrimin e vajzës së re, kur u ktheva në shtëpi dhe mësova se fëmijët ishin në gjendje të rëndë. E trembur i kam sjellë me urgjencë për në spital”, shprehet ajo. Megjithatë, gjendja e përmirësuar e tre pacientëve i ka qetësuar familjarët dhe mjekët e spitalit, për të cilët shkak i kësaj situate është gjendja gripale.

Mbeturinat, ekspertë në vendngjarje
Në lidhje me komentet e banorëve të fshatit Librazhd-Qendër se epidemia është shkaktuar si pasojë e djegies së mbeturinave, Drejtoria e Shëndetit Publik deklaron se do të shkojë në vendin e ngjarjes. Sipas drejtuesve të saj do të merren kampionë në këtë zonë, për të verifikuar nëse banorët kanë apo jo të drejtë. Por gjithsesi, mjekët pohojnë se epidemia e rënë tek këta katër pacientë të shtruar në spital, njëra prej të cilave gjeti edhe vdekje, është gripale. Rastet e fundit kanë krijuar gatishmëri tek bluzat e bardha, teksa bëjnë apel që për çdo shqetësim të sëmurët të drejtohen në urgjenca për të marrë ndihmën e nevojshme.

Gripi, 14 mijë të prekur në dy javë
Rreth 14 mijë persona janë prekur dy javët e fundit nga gripi dhe virozat e tjera të stinës. Të dhënat vijnë nga Instituti i Shëndetit Publik. Temperaturat e ulëta në vend kanë ndikuar në rritjen e numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore, ndërsa më të prekur janë fëmijët. Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik flasin për rreth 14 mijë raste me virozë stinore në të gjithë vendin. Pranë QSUT paraqiten çdo ditë rreth 500 raste me simptoma të gripit, ndërsa 300 fëmijë paraqiten pranë urgjencës së Pediatrisë. Por kujdes sipas bluzave të bardha duhet të bëjnë dhe të sëmurët kronikë, të cilët rekomandohet të marrin vaksinën. Nga të dhënat e QSUT bëhet e ditur se në shërbimin kardiak paraqiten çdo ditë rreth 100 pacientë me virozë stinore dhe rreth 80 në shërbimin e Infektivit.

LIBRAZHD/ MIRANDA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura