
SHKODER – Garazhin e prishi pronari i saj dhe jo Inspektorati i Policisë Bashkiake. Ky ka qenë konkluzioni i arritur nga ana e Policisë së Shtetit, pas hetimeve të bëra në lidhje me vdekjen e një dite më parë të një fëmije 12-vjeçar, Kristian Marku. Nëpërmjet një deklarate për shtyp Drejtoria e Policisë së qarkut Shkodër ka pohuar se 12-vjeçari Marku ka gjetur vdekjen aksidentalisht, si pasojë e rënies së soletës së një ndërtese, e cila ishte shembur një ditë më parë nga vetë pronari i saj, pasi kjo ndërtesë, mbi bazën e një vendimi të marrë nga KRRT-ja e Bashkisë, do të prishej më vonë nga Policia Ndërtimore. Pas këtij përfundimi, policia e Shkodrës ka filluar procedimin penal ndaj pronarit të ndërtesës, shtetasit Zef Vuksani, 60 vjeç, banues në lagjen “1 Maji”. Ai u shpall në kërkim për veprën penale të vrasjes nga pakujdesia. Sipas policisë, pronari i garazhit, pasi ka hequr mallin, ditën e premte në mëngjes ka ngarkuar një person që të fillojë prishjen e tij me qëllim marrjen e inerteve, pasi ai dyqan do të prishej nga ana e ndërtimorëve. Gjatë kohës që po punohej për shembjen e soletës, 12-vjeçari Kristian Marku ka hyrë brenda në të për të luajtur. Në një moment traversat e soletës janë shembur duke e zënë fëmijën poshtë. Bashkë me soletën është rrëzuar dhe punëtori, i cili ka pësuar plagë të lehta në trup. Nga ana e tyre, familjarët e viktimës kanë hedhur akuza në drejtim të Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë duke pretenduar se objekti në fjalë është prishur nga ana e këtyre të fundit. “Na kanë thënë që objekti është prishur nga fadroma e ndërtimorëve të Bashkisë, ndaj dhe kërkojmë zbardhjen sa më parë të kësaj ngjarjeje dhe dërgimin para drejtësisë të autorëve të vërtetë”, janë shprehur ata gjatë ditës së djeshme. Burime pranë Bashkisë Shkodër bëjnë të ditur se ekziston procesverbali i prishjes së objekteve gjatë ditës së mërkurë, ku është shënuar se u prishën të gjitha objektet e parashikuara, me përjashtim të një objekti garazh në pronësi të shtetasit Zef Vuksani. Madje ata kanë pohuar se kanë siguruar si prova pamjet filmike të mediave të xhiruara ditën e mërkurë kur janë bërë prishjet, ku shihet qartë që në këtë objekt nuk është ndërhyrë fare. Këto pamje ata janë të gatshëm t’i dërgojnë pranë organeve të Drejtësisë në rast se do t’iu kërkohen, me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. r.d











