LUSHNJE – “Nëse ambulanca do të mbërrinte në kohë, dhe në rast se do i ishte dhënë menjëherë ndihma mjekësore, atëherë babai ynë do të shpëtonte. Ne akuzojmë spitalin e Lushnjës për neglizhencë. Duam drejtësi”. Kështu u shprehën dje Adriatik dhe Mentor Saraçi. Ata janë fëmijët e Enver Saraçit, i cili më 26 dhjetor u shtyp nga treni i linjës Tiranë-Vlorë. Pas kallëzimit të familjarëve, mësohet se Prokuroria e Lushnjës ka nisur hetimet. Sipas prokurorit Petrit Çano, hetimet kanë nisur një ditë pas aksidentit, bazuar në nenin 97 të Kodit Penal për “mosdhënien e ndihmës së parë në kohën e duhur”. Deri më tani janë marrë në pyetje shoferët e autoambulancave të spitalit të Lushnjës, si dhe drejtuesit e këtij spitali. “Nga ana e Prokurorisë po merren të gjitha tabulatet e personave që mund të kenë dijeni mbi njoftimin e dhënë në spital. Lajmërimi nga ana e policit të trenit apo edhe nga Policia e Lushnjës që ka bërë disa herë telefonata, do të hetohen nëpërmjet verifikimit të tabulateve”, u shprehën burime nga Prokuroria. Mësohet se do të verifikohen me saktësi të gjitha oraret e bisedave të kryera për të zbardhur arsyen e vonesës me gati një orë të autoambulancës në vendin e aksidentit”. Ndërkohë që familjaret e të ndjerit Enver Saraçi, i cili humbi jetën një ditë pas aksidentit në Spitalin Ushtarak në Tiranë, akuzojnë spitalin për mosdhënien e ndihmës dhe kërkojnë drejtësi. Sipas tyre, nëse ambulanca do të mbërrinte në kohë, familjari i tyre ndoshta edhe mund t’i kishte mbijetuar plagëve të marra. Ndërkaq, spitali ka deklaruar se në kohën kur urgjenca është njoftuar për aksidentin, autoambulanca e vetme që kanë ndodhej në një tjetër ngjarje. m.r











