LIBRAZHD – Për herë të dytë brenda një jave banorët e Komunës Qendër-Librazhd kanë zhvilluar një protestë me qëllim largimin e mbetjeve urbane. Ka thuajse katër vjet që plehrat e qytetit të Librazhdit dhe të komunave përreth depozitohen në këtë zonë, duke shkaktuar ndotje masive për rreth 300 banorët e fshatit. Shkak i protestës janë bërë dy rastet me pasojë vdekjen e dy vajzave të reja, që sipas banorëve, është shkaktuar si pasojë e djegies së mbeturinave. Më datë 5 janar, banorët e zonës bllokuan rrugën e fushës së plehrave, duke mos lejuar kalimin e mjeteve të ngarkuara. Pasditen e së hënës, punëtorët e firmës kontraktuese të pastrimit të qytetit, së bashku me policinë e rendit, kanë hequr barrikadën duke vijuar hedhjen e mbeturinave. Por, banorët kanë rivendosur blloqet e betonit në rrugë. “Pas dy vdekjeve në fshat gjendja është bërë alarmante. Të gjithë ndihemi të frikësuar. Djegia e mbetjeve spitalore së bashku me ato urbane dhe asgjësimi i municioneve luftarake në malin e Zgarës, me anë të shpërthimit janë faktorët kryesorë të përhapjes së sëmundjeve në fshat. Duhet që urgjentisht të hiqen mbeturinat e plehrave nga zona në fjalë se jemi të rrezikuar”, shprehet një banor. “Nëse nuk merren masa për largimin e tyre, ne do të vazhdojmë protestat. Paraditen e nesërme ne do të bëjmë një protestë pranë Bashkisë së Librazhdit, duke kërkuar zgjidhjen e problemit”, thanë ata. m.s











