
DURRES- Gjykata e Faktit në Durrës ka dhënë sot masën e sigurisë “burg pa afat” për dy mjekët e arrestuar një ditë më parë, Nuri Qyra dhe Dalip Çela .
Të dy mjekët akuzohen për mjekim të pakujdesshëm ndaj volejbollistit të Teutës, Juxhin Guza, i cili vdiq në spital pas plagëve të marra me thikë.
Gjatë seancës mbrotja kërkoi që të dy mjekët të liheshin në gjykim të lirë pasi ata nuk paraqesin rrezikshmëri largimi nga qyteti apo mundësinë e kryerjes së një krimi tjetër.
Me vendim të Gjykatës së Durrësit nje dite me pare u arrestuan dy mjekët, të cilët dyshohen se kanë mjekuar gabimisht volejbollistin durrsak, Juxhin Guza.
Volejbollisti kishte mbërritur ne spital, pasi ishte qëlluar disa herë me thikë në hyrjen e pallatit ku jetonte. Vetëm pak kohë më parë nëpërmjet një interviste për gazetën Panorama, e ëma e Juxhinit, Irma Guza akuzoi mjekët se nuk kishin bërë sa duhet për të shpëtuar djalin e saj.
Sipas saj, pas disa orësh në spital, ajo e priste të birin t’i kthehej në shtëpi, sepse mjekët vetë i kishin konfirmuar se ai ishte jashtë rrezikut për jetën.
Një shumë prej 30 mijë eurosh ka vënë në dispozicion Policia e Durrësit për çdo informator mbi autorët e krimit ndaj volejbollistit Juxhin Guza. Me gjithë shoqërimet në polici të të dyshuarve, nuk ka asnjë person të vënë në pranga për krimin që tronditi të gjithë qytetarët durrsakë e më gjerë.
© Panorama.al











