Vdekja e Emmy-t, Kelmendi, rekurs në Gjykatën e Lartë

May 4, 2011 | 14:13
Elsina Hidersha (Emmy)

Azis Kelmendi, biznesmeni kosovar i akuzuar për ngjarjen ku mbeti e vdekur këngëtarja Elsina Hidersha, e njohur edhe si “Emmy”, kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë.Këngëtarja 21-vjeçare, ndërroi jetë pak orë pasi u aksidentua rëndë mbrëmjen e 27 shkurtit të këtij viti, në Tiranë, nga makina që drejtohej nga biznesmeni. Afro dy muaj pasi ai u la në masën e sigurisë “arrest me burg” nga Gjykata e Shkallës së Parë e më pas nga Apeli, biznesmeni i kërkon ndryshimin e kësaj mase Gjykatës së Lartë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të këtij institucioni. Sipas burimeve nga Gjykata, kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë së “personit në hetim”, Azis Kelmendi, është depozituar pak ditë më parë nga mbrojtësit e tij në kryesekretarinë e kësaj Gjykate. Nga burimet, mësohet se bëhet fjalë për kundërshtimin e biznesmenit Kelmendi në lidhje me dy vendimet e shkallëve më të ulëta të gjyqësorit, që e kanë lënë atë në masën e sigurisë “arrest me burg”. Kërkesa ende nuk i është nënshtruar shortit, që do të përcaktojë anëtarët e Kolegjit Penal, që do ta shqyrtojnë atë. Azis Kelmendi është i dyshuari i Prokurorisë si autor i ngjarjes së fundshkurtit të këtij viti, në ambientet jashtë pub “Venue” në Tiranë, ku u aksidentua për vdekje këngëtarja 21 vjeçare “Emmy”. Për herë të parë ai u përball me Gjykatën e Tiranës, pak ditë pas ngjarjes, në 3 mars të këtij viti. Në këtë seancë, Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për “vlerësimin e ligjshëm të arrestit të tij në flagrancë”, si edhe për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj tij. Pak ditë më vonë, Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi të lërë të pandryshuar këtë vendim. Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës vijon hetimet në lidhje me zbardhjen e plotë të ngjarjes së 27 shkurtit. Sipas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, që caktoi “arrest me burg” ndaj tij, aksidenti ndodhi pak pasi e ndjera “Emmy” kishte debatuar ashpër me biznesmenin Kelmendi para ambienteve të pub “Venue”. Në këtë kohë, biznesmeni ishte në bordin e automjetit të tij dhe i shoqëruar nga një femër tjetër. Sipas Prokurorisë, 21-vjeçarja Hidersha është kapur tek xhami i automjetit, ndërsa automjeti është ndezur nga Kelmendi dhe ka lëvizur duke e rritur shpejtësinë. “Kjo situatë dyshohet të ketë zgjatur rreth 50 metra distancë, pas së cilës, për shkak te shpejtësisë së makinës që drejtonte i dyshuari dhe frenimeve të tij, ajo është rrezuar e plagosur rëndë”, thuhej në vendimin e gjykatës.

© Panorama.al

Te lidhura