Vazhdojnë bisedimet në Abu Dhabi për paqen në Ukrainë, ende asnjë marrëveshje për çështjen territoriale

Jan 24, 2026 | 9:01

Vijojnë për të dytën ditë në Abu Dhabi bisedimet midis negociatorëve rusë, ukrainas dhe amerikanë për përfundimin e luftës në Ukrainë.

ABU DHABI

Zyrtarë amerikanë thanë për NBC News se bisedimet ishin “produktive”, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shtoi se është ende shumë herët për të nxjerrë përfundime.

Nga ana tjetër, këshilltari i ngushtë i Vladimir Putin, Yuri Ushakov, deklaroi se bisedimet ishin “thelbësore, konstruktive dhe shumë të sinqerta”, por përsëriti se çdo marrëveshje për paqe të qëndrueshme nuk do të ishte e mundur pa zgjidhjen e çështjeve territoriale.

“Derisa të arrihet kjo, Rusia do të vazhdojë të ndjekë me qëndrueshmëri objektivat e operacionit të saj të veçantë ushtarak,” tha ai.

Çështja kryesore e kontestit mbetet territori, duke përfshirë kërkesën e Rusisë që Ukraina të dorëzojë 25% të rajonit të Donetskut, të cilin ende e kontrollon Kievi.

Sipas agjencisë ruse TASS, ndër temat e diskutimit në ditën e parë ishin zonat e sigurisë dhe mekanizma të ndryshëm kontrolli. Negociatorët e tre vendeve ranë dakord të vazhdojnë bisedimet nesër.

Gjatë diskutimeve u trajtuan çështje territoriale dhe sipas mediave të huaja, negociatorët amerikanë i kanë dorëzuar një propozim Zelensky-t për shkëmbimin e Donbasit.

Sipas Corriere della Sera, propozimi parashikon dhënien e kontrollit territorial mbi Donbasin, në këmbim të një pakete financimi prej 800 miliardë dollarësh për rindërtimin e vendit dhe garanci sigurie nga Perëndimi.

Takimi në Abu Dhabi, i pari trilateral që nga fillimi i luftës katër vjet më parë, vjen pas takimit në Moskë midis Vladimir Putin dhe Stephen Whitkof dhe Jared Kushner, të cilin Rusia e konsideroi “të dobishëm”.

© Panorama.al

Te lidhura