Topi takon Obamën: Mirënjohje për përkrahjen

May 27, 2011 | 21:40
Topi gjate takimit me presidentin Obama

UPDATE- Presidenti, Bamir Topi gjatë qëndrimit të tij në Poloni, në kuadër të Samitit të Varshavës, ka patur një darke pune me presidentin e SHBA-së, Barak Obama të cilit i ka shprehur mirënjohjen e shqiptarëve për ndihmën që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë në proceset integruese.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Obama ka vlerësuar realitetin gjeopolitik në Ballkan si dhe aspiratat integruese të vendit tonë dhe mbarë rajonit.

Topi: Vizioni i politikës shqiptare, integrimi

“Pavarësisht debateve politike që ekzistojnë në vend, siç ekzistojnë në çdo vend tjetër demokratik, vizioni i të gjithë politikës shqiptare në unison nuk është në asnjë moment kontestues ndaj politikave madhore të integrimit.” Kështu ju drejtua presidenti, Bamir Topi homologëve të tij në Samitin e Varshavës.

Ky vizion i politikës shqiptare, sipas Topit “është arsyeja që rritja e demokracisë së brendshme, forcimi i shtetit të së drejtës, ndërtimi i politikave ekonomike, të cilat çdo ditë vijnë e konsolidohen, bëjnë të mundur që ne të jemi optimistë që marrja e statusit kandidat për Shqipërinë, do të jetë një moment kohor i afërt.”

Duke shprehur mbështetje të agjendës prioritare të Polonisë si kryesuese e radhës së BE-së, presidenti Topi, theksoi se  “siç presim dhe kemi besim, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të ndjekin politikën e afrimit dhe të dyerve të hapura për plotësimin e familjes evropiane me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.”

© Panorama.al

Te lidhura