Varrezave u del pronari, 14 vjet në kërkim të një toke

May 30, 2011 | 12:58

Plot 14 vjet vuajtje e përpjekje për të gjetur një rrip toke për varrezat e fshatit. Kështu ka ndodhur në lagjen “Kumia e Tullave”, fshati Zallë-Shoshaj, në komunën e Komsisë.Tokës së varrezave i ka dalë pronari, ndërkohë të vdekurit e kësaj lagjeje varrosen në qytetin e Burrelit, 3-4 kilometra larg dhe me tarifa mjaft të shtrenjta për ekonominë e këtyre familjeve. Sa herë ka fushatë elektorale, premtimi kryesor i kandidatëve për deputet apo kryetar komune është blerja e një ngastre toke për varrezat e fshatit.
Nuk ka hall më të madh sesa të mos kesh një copë tokë për varreza. Banorë autoktonë thanë se në vitin 1970, ish-këshilli i asaj kohe vendosi që të shfrytëzohej për tokë varrezash një ngastër toke pyll, pronë shtetërore. Deri në vitin 1997 banorët e këtushëm kryen të gjitha ritet mortore brenda normave të lejuara. Pikërisht në këtë vit të mbrapshtë dikush nga banorët e zonës pretendoi se toka e varrezave ishte pronë e tyre dhe se askush nuk do të varroste njerëzit e afërm në këtë vend. Siç tregojnë banorët, një vajzë e vdekur mbeti 2-3 ditë pa varrosur dhe familjarët e saj arritën të përdorin edhe armët e zjarrit për ta zgjidhur këtë shqetësim të madh. Deputetë, kryetarë komune, kandidatë për këto poste sa herë janë takuar me banorët kanë pasur si kryefjalë të premtimeve të tyre gjetjen e një copë toke për varreza. Janë premtuar fonde e janë dhënë edhe para për këtë qëllim, por gjendja vazhdon të mbetet kritike. Banorët e Kumisë së Tullave i varrosin të afërmit në varrezat e Burrelit.
A. Murra, një burrë rreth të 70-ave, thotë se ky është problemi më i madh për këta banorë, pasi tashmë kanë harruar mungesën e shkollës, ujit të pijshëm e vaditës. “Në vitin 1997, një banor i kësaj zone tha se toka ku ishin vendosur varrezat 30 vjet më parë, ishte pronë e tij. Ne gjetëm në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dokumentin që faktonte se toka ishte pyll dhe pronë shtetërore. Se si e rrokullisën këtë gjë, nuk e dimë. Njerëzit që vdesin nga lagjja jonë i dërgojmë në varrezat e qytetit. Nuk kemi mundësi të përballojmë tarifat për t’i varrosur atje, por nuk kemi çfarë të bëjmë”, sqaroi ai. “Në zgjedhjet e fundit politike, ato të vitit 2009, – thotë Murra, – ish-kandidati i mazhorancës ndau 500 mijë lekë për të blerë një copë tokë që do të shërbente për varrezat e lagjes sonë. Ai këtë e bëri në këmbim të votave. Sapo mbaroi fushata, erdhi përsëri në lagje dhe tërhoqi paratë që kishte dhuruar për tokën e varrezave. Nuk më keni dhënë votat që prisja, u shpreh ai”. Kështu tregojnë banorët, ndërkohë që fakt është se ata ende sot nuk kanë një vend ku të varrosin të vdekurit.

Fshati, më 8 maj vota për varrezat

Në zgjedhjet e fundit ky fshat votoi në mazhorancë për kandidatin e Partisë Socialiste. Dashnor Aliu, kandidat i koalicionit Aleanca për të Ardhmen, premtoi blerjen e një ngastre toke dhe hipotekimin e saj në kadastër. Zgjedhësit i besuan atij dhe i dhanë 170 vota, nga 90 që i dhanë kandidatit të PD-së. Sipas KZAZ Nr.6, Aliu nuk i fitoi zgjedhjet e 8 majit dhe i ka kontestuar ato në KQZ, ndërkaq banorët shpresojnë se ai do të shpallet fitues e do të zgjidhë çështjen e tokës së varrezave. “Dashi ka kryer investime të shumta në fshatrat e komunës sonë dhe shpresojmë se do të zgjidhë edhe shqetësimin tonë për një copë toke për varrezat e fshatit tonë”, pohuan banorët e Kumisë së Tullave në Zallë-Shoshaj të Matit.

 

MAT/ HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura