Urdhri, varrezat e makinave të hiqen 1 km larg rrugëve

Sep 13, 2011 | 11:04

Varrezat e makinave që janë të vendosura buzë akseve rrugore kombëtare duhet që të zhvendosen të paktën një kilometër larg nga këto akse, ose, në të kundërt, do të merren masa konfiskimi.Akti normativ i qeverisë, i botuar në Fletoren Zyrtare, vjen në ndihmë për uljen e ndotjes së mjedisit, e shkaktuar nga grumbullimet masive të mjeteve motorike të dala jashtë përdorimit. Akti me shtatë nene gjithsej përcakton në nenin e parë  emergjencën me të cilën duhet të veprohet në vend për ndotjen e krijuar nga varrezat e makinave, duke sanksionuar më pas në nenin 2, distancën që këto grumbullime duhet të kenë nga akset rrugore kryesore, por edhe në vende të tjera të paautorizuara. Koha e lënë në dispozicion për pronarët e këtyre vendgrumbullimeve është një muaj për të zbatuar kërkesat për zhvendosje. “Pronarët ose poseduesit e vendgrumbullimeve ekzistuese të mjeteve motorike, rimorkiove dhe pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit, që nuk plotësojnë kërkesat e nenit 2 të këtij akti  normativ, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e tij, duhet t’i largojnë, me shpenzimet e veta, nga  vendndodhja e tyre aktuale këto mjete. Ato mund t’i rivendosin në vende të tjera, të lejuara dhe të  autorizuara për këtë qëllim”, thuhet në aktin normativ të qeverisë. Sakaq, për ata që nuk do të zbatojnë ligjin, do të merren sanksione, të cilat do të zbatohen nga Inspektorati i Mjedisit, një institucion ky në varësi të ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave. Kështu, mund të merret masa e konfiskimit për ato vendgrumbullime që nuk kanë lejen e nevojshme apo për ato që nuk kanë zbatuar largësinë një kilometër nga akset rrugore kombëtare, por gjithsesi, akti normativ ka parashikuar edhe një periudhë për animimet e mundshme të pronarëve. “Kundër vendimit të konfiskimit, pronarët ose poseduesit e këtyre mjeteve, brenda pesë ditëve nga data e vendimit, mund të kryejnë ankim pranë Agjencisë Rajonale të Mjedisit, e cila duhet të shprehet brenda pesë ditëve”, përcakton akti.

1kilometer
larg nga rrugët kombëtare duhet të jetë distanca e vendgrumbullimeve të mjeteve motorike sipas aktit normativ të qeverisë. Në rast të moszbatimit, ky akt parashikon konfiskim të tyre

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura