Arrestimet, zbardhen përgjimet e policisë

Nov 19, 2011 | 10:31

Përgjimet e 9 personave të akuzuar për korrupsion te Drejtoria e Metrologjisë kanë filluar më 12 shtator 2011 për pesëmbëdhjetë ditë me radhë me autorizim të Gjykatës.

Personi kyç i përgjuar ka qenë Kristaq Thanasi. Pas episodeve të Porto Romanos dhe rastit të Yzberishtit, disa precedentë të tjerë abuzimi janë dokumentuar nga Prokuroria. Në këto precedentë bie në sy fakti se zv.drejtori i Përgjithshëm i Metrologjisë fliste lirshëm me vartësit e tij, duke i thënë njërit të mos kontrollonte x karburant, pasi një koleg i tij e kishte marrë bukën aty. Po kështu, hetimet kanë faktuar se Çelmeta dhe vartësit e tij në shumicën e rasteve i kanë kontrolluar me sy peshoret e karburanteve dhe nuk kanë kryer asnjë lloj veprimi tjetër për kalibrimin e tyre. Hetuesit pohojnë se inspektorët dhe eprorët e tyre duhej që të kryenin verifikimin e tubacioneve të depozitave të karburantit dhe po kështu të çmontonin “pistoletat” që përdoren për futjen e gazit, naftës apo benzinës në serbatorin e makinës. Procesi i kalibrimit të këtyre pajisjeve mësohet se zgjat zakonisht deri në një ditë, mirëpo të arrestuarit e kryenin në vend, duke parë me sy e duke vendosur stampat e falsifikuara. E njëjta gjë ka ndodhur me karburantet, autobotet, marketet dhe furrat e bukës. Hetimi ka zbardhur aktivitetin e të dyshuarve gjatë 4 muajve të fundit, sa kanë zgjatur edhe veprimet hetimore, por dyshohet se veprimtaria kriminale ka filluar kohë më parë. Të arrestuarit kanë përfituar shuma ryshfeti deri në 3 mijë euro nga bizneset që përfitonin nga shitja e mallrave nën peshën reale të tyre.

RASTET

Sipas hetimeve, më datë 3 nëntor 2011, shtetasi Agron Damsi, me mjetin e tij të punës, me targë TR 2987 S është takuar me Roland Çelmetën, zv.drejtor i Përgjithshëm i Kalibrimit në fshatin Bubq dhe kanë shkuar në një karburant në hyrje të fshatit. Sipas të dhënave të grumbulluara nga Policia dhe Prokuroria, ata kontrolluan me sy pompat e karburantit dhe me pas u larguan. Hetimi tregoi se të dyshuarit me pas shkuan dhe ndaluan në një karburant në afërsi të kryqëzimit të fshatit Likmetaj me fshatin Ishëm, ku ata kontrolluan pompat me sy. Hetimi ka treguar se në orën 13:00 ata kanë shkuar te një karburant tjetër pranë fshatit Murqim dhe këtu kontrolluan me sy pompat e karburantit. Më pas dhe në një karburant tjetër ngjitur me të, ku sipas akuzës, kanë vepruar në të njëjtën mënyrë. Po kështu, më 7 nëntor, Roland Çelmeta, zv.drejtor i Kalibrimit, ka pasur një telefonatë nga personi i prezantuar si Arjani i Gosës së Kavajës. Ai i ka thënë zyrtarit që kanë ardhë ata të tutë për kontroll. Ai ia kalon telefonin një inspektori që gjendet atje me emrin Adi. Landi flet me të, duke i thënë që lerë të flasi dhe mbrapa kaloje. Po kështu, një ditë më pas, në datën 8 nëntor, Rolandi Çelmeta ka folur me inspektorin Armand Xhika, duke i thënë që në atë pikë para tre muajsh ka mbaruar punë shtetasi Hetem Basho (Tele). “Ai, i Telës, e ka marrë Telja bukën aty, e ka marrë Telja para tre muajve bukën aty”, ka thënë zv.drejtori. Rolandi pohon faktin që ka qenë në atë karburant me Telën dhe Telja ka mbaruar punë. Prokuroria e Tiranës ka arrestuar tetë persona dhe ka shpallur në kërkim të dyshuarin e nëntë, ndërkohë që është zbardhur edhe roli që ka pasur gjithsecili në abuzimet me mjetet matëse.

EPISODET SIPAS PËRGJIMEVE

Datë 12 tetor 2011, Kristaq Thanasi i ka telefonuar Roland Çelmetës, me detyrë zv.drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë dhe i ka treguar këtë fakt, duke i thënë që Benit të cilin Rolandi nuk e njeh, i duheshin dokumentet e kolaudimit, pasi ai priste të bënte evadimin e një ngarkese nga një anije në port. Rolandi i jep leje për të vepruar, duke i thënë që thuaji Benit të vijë në Tiranë t’ia japim letrat në dorë, të mbyllin punën. Rezulton se Kristaqi ka qëndruar gjatë gjithë kohës në Tiranë, ndërsa te peshoret në Porto Romano mbas një pike gazi “Elda” nuk ka shkuar as Kristaqi, as ndonjë inspektor tjetër.

Datë 20 shtator 2011, në orën 11:34 Kristaqi flet me Mojsiun dhe i thotë se e ka thirrur Shaba, i cili ka një karburant “Martini” afër Liqenit Artificial. Më pas, Kristaqi është telefonuar nga Shaba dhe Shaba i ka thënë a është takuar me Mojsiun. Më datë 22.10.2011, Kristaqi i ka telefonuar Mojsiut dhe i ka thënë se Shaba e ka telefonuar disa herë dhe Mojsiu i thotë ta marrë vetë drejtorin në telefon. Kristaqi i thotë që të flasë në telefon se pastaj vete dhe i merr vetë pa problem. Mojsiu e adreson te Arta (dyshohet punonjëse) dhe i thotë ik merre aty dhe t’i shërbejme shpejt.

Datë 27.09.2011, Kristaqit i telefonon Shaba dhe flasin për një pasaportë kualidimi për karburant “Martinin”. Kristaqi ka dalë nga zyra me një letër të bardhe në dore dhe një libreze ngjyrë blu në dorë, e cila dyshohet se është pasaporta e karburantit. Shaba pasi është takuar me Kristaqin, ky i fundit i ka dorëzuar letrën me librezën ngjyrë blu.

Më 6 tetor 2011, Mandi flet me Kristaqin. Gjatë kësaj bisede, Armando Shuaipi i thotë Kristaqit që të mos harronte librin (pasaportën e kolaudimit), ndërsa Kristaqi ia kthen se është libër i bukur. Kristaqi e pyet Armandon nëse ia ka sjellë ato, biseda vazhdon dhe Armandi i thotë se i ka sjellë abetare për çunin, leximin dhe po deshi ndonjë stilolaps.

Në date 10.10.2011, në orën 15:14, Mojsiu telefonohet nga Kristaqi, i cili i thotë se i ka telefonuar Mira Ahmetajt dhe i ka thënë që si guxon e bën kolaudime në Fier dhe në Lushnjë. Kristaqi i ka thënë Mirës që ç‘punë ke ti se ai zbaton vetëm urdhra, ndërsa Mojsiu i thotë që s’ka problem se e sqaron ai nesër këtë pune.

Datë 18 tetor 2011, inspektorët Hetem Basho, Armand Xhika, Kristaq Thanasi dhe drejtori Mojsi Musabelliu kanë shkuar me shërbim në Elbasan dhe Përrenjas. Rrugës, Mandi Xhika i telefonon Mojsiut dhe i thotë që është bashkë me Hetem Bashën te unaza e Elbasanit, te karburant “Martini” dhe se ata të “Martini”-t nuk paguajnë, s’bëjnë dhe se këta po s’erdhe ti si drejtor, nuk duan t’ia dinë. Pas kësaj, Mojsiun e merr ne telefon Hetemi dhe i thotë përsëri të kalojë nga “Martini” që t’i bëjë një presion, se ndërkohe Hetemi u kishte thënë punonjësve të karburant “Martini”-t që po vinte dhe drejtori.

Datë 20 tetor 2011, Mojsiu ka komunikuar në telefon me Kristaqin dhe, gjatë bisedës, Kristaqi i thotë se ka folur me shtetasin Fatos Themelko, që nga verifikimet rezulton të jetë Drejtor i Metrologjisë Ligjore dhe ky i fundit i ka kërkuar llogari që përse ke kryer veprime në Çorovodë, duke qene se është jashtë juridiksionit të tij. Kristaqi i ka thënë Fatosit se unë këtë pune nuk e bëj as në Tirane pa urdhër dhe jo në Çorovodë. Në këtë kohë Mojsiu e pyet: E ka bërë drejtori, i the? Kristaqi i përgjigjet se nuk i ka thënë drejtorit fare, por unë marr urdhra nga drejtori.

Në datën 31 tetor 2011, Mandi i telefonon shtetasit Ymer, dhe i thotë se e ka mbyllur punën dhe duhet bërë pagesa. Për këtë ai i thotë këtij personi që të dërgojë njeri aty për të marrë paratë ose t’ia kalojë në bankë në llogarinë e tij, sepse ajo punë sipas Mandit duhej mbyllur atë ditë, pasi është bërë gati kartoni. Mandi i thotë se duhet bërë pagesa e faturës prej 30.000 (tridhjetë mijë) lekësh se të tjerat i ka Mandi. Ymeri i kërkon me mesazh numrat e llogarisë, ndërkohë që Mandi i thotë që do dërgojë një shok tjetër që quhet Kol Leku. Ymeri pranon që të shkojë Koli.

Datë 16 shtator 2011, Kristaqi ka plotësuar në një lokal një kualidim për taksinë me targe TR 025 B. Kualidimi është bërë ne mënyrë fiktive, pa kryer proceduarat e duhura ligjore. Në datë 22.09.2011, sipas raportit të shërbimit, Kristaqi ka plotësuar një kualidim për taksinë me targë TR 437 C. Kualidimi është bërë në mënyrë fiktive pa kryer proceduarat e duhura ligjore.

BATUTAT

EPISODI 1

Kristaq Thanasi i ka telefonuar shtetasit Roland Çelmeta, me detyrë zv. drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë dhe i ka treguar këtë fakt, duke i thënë që Benit të cilin Rolandi nuk e njeh, i duheshin dokumentet e kolaudimit, pasi ai priste të bënte evadimin e një ngarkese nga një anije në port. Rolandi i jep leje për të vepruar duke i thënë që thuaji Benit të vijë në Tiranë t’ia japim letrat në dorë, të mbyllin punën.

EPISODI 2

Në datën 28 tetor 2011, Rolandi i telefonon shtetasit Armand Xhika, me detyrë inspektor dega Tiranë. Rolandi i thotë Armandit që të shkojë të kontrollojë një pikë karburanti në Yzberisht me pronar Luan Gjonin, sepse pas kontrollit pronari do t’i respektonte. Gjithashtu, Mandi i thotë qe t’u thotë dhe kolegëve të tij që, kur të kalojnë te karburant “Elda” në Ndroq, të mos futen fare për kontroll atje, pasi është miku i tyre i përbashkët.

EPISODI 3

Në datë 01.11.2011, Rolandi i telefonon një shtetasi që dyshohet se është Armand Xhika dhe i thotë që të kalojë t’i bëjë presion atij byth… në Ndroq, se s’është kujtuar fare. Në datë 08.11.2011, Rolandi i kërkon përsëri që të shkojë t’i bëjë presion atij të Ndroqit dhe ndërkohë Mandi i thotë që e ke gati atë.

EPISODI 4

Në datë 02.11.2011, Rolandi i ka telefonuar shtetasit Agron Damsi me detyrë inspektor dega Tiranë, duke i thënë që të nesërmen të shkonin ne Bubq te fabrika për kontroll. “Te shkojnë të turren”.

Ryshfeti, porositë e Çelmetës në telefon

Kolaudimi i peshoreve në Porto Romano mund të bëhej që nga Tirana, kuptohet fiktivisht.

I interesuari mund t’i kishte dokumentet në dorë, nëse lejen për këtë e jepte Roland Çelmeta, zv.drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë, i arrestuar dy ditë më parë me akuzën e korrupsionit. Të paktën kështu pretendohet nga hetimet disamujore të Prokurorisë së Tiranës, hetime që u finalizuan me prangosjen e 8 punonjësve të kësaj drejtorie. Sipas Prokurorisë, më 12 tetor 2011, një biznesmen i ka telefonuar Kristaq Thanasit, inspektor në Drejtorinë e Metrologjisë, Tiranë. Sipas transkriptimit të bisedës së përgjuar mes tyre, rezulton se biznesmeni ka ndërtuar një pikë peshimi të automjeteve dhe është i interesuar për kolaudimin e tyre. Po sipas bisedave të përgjuara, pyetjes nëse i duhej vetëm dokumentacioni, apo kolaudimi i saktë, biznesmeni i është përgjigjur se si fillim vetëm dokumentacioni për t’ia treguar kapitanerisë. Këtë kërkesë të biznesmenit inspektori Thanasi ia ka shtruar zv.drejtorit Çelmeta. Hetimet tregojnë se i arrestuari Roland Çelmeta i ka dhënë leje për të vepruar, duke i kërkuar që t’i thoshte biznesmenit që “të vijë në Tiranë t’ia japim letrat në dorë, të mbyllin punën”. Pas disa bisedash të tjera telefonike, inspektori i cakton një takim biznesmenit në Tiranë për të marrë dokumentet. Ndërkohë nga verifikimet e Prokurorisë ka rezultuar se më 13 tetor te peshoret në Porto Romano nuk ka shkuar asnjë inspektor i Metrologjisë dhe se “dyshohet se kolaudimi është bërë në mënyrë fiktive”. Po sipas hetimeve, në një episod tjetër më 28 tetor, zv.drejtori Çelmeta “udhëzonte” një nga inspektorët e tij të shkonte të kontrollonte një pikë karburanti në Yzberisht, sepse “pas kontrollit, pronari do t’i respektonte”. Në të njëjtin episod, Prokuroria pohonte se inspektori në fjalë kërkon që të marrin dijeni edhe kolegët e tij, që kur të kalojnë tej një pikë karburanti në Ndroq të mos futen për kontroll, pasi “është miku i tyre i përbashkët”. 

“Gafa” e inspektorëve në dyqan/ Hetimi që filloi nga një peshore

TIRANE – I gjithë hetimi, i cili përfundoi me tetë të arrestuar dhe një në kërkim, ka nisur nga një gafë e bërë nga inspektorët e kalibrimit në furrën e bukës së shtetasit F.Ahmeti dhe në marketin e shtetases M. Goci, në rrugën “Sadik Petrela”, Tiranë. Më 15 shkurt 2011, në këto dy subjekte kanë shkuar persona rreth 38-40 vjeç dhe kanë bërë sikur kanë kalibruar peshoret, duke u vënë disa pulla kontrolli. Këta dy persona u kanë thënë se do bënin kolaudimin e mjeteve matëse dhe pasi kanë kryer disa verifikime, ata kanë plotësuar mandatet e arkëtimit, kanë marrë pagesën e shumës sipas këtij mandati. Pas rreth një muaji e gjysmë, këtyre subjekteve u ka shkuar një burrë rreth 50 vjeç, i cili u është prezantuar si inspektor i Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë Tiranë, që mbulonte atë zonë. Ai ka konstatuar me habi etiketat e vendosura në mjetet matëse dhe ka pyetur se kush i kishte vendosur. Ai është informuar për çka kishte ndodhur dhe ka vënë në dijeni eprorët.

MASAT E GJYKATËS

ROLAND ÇELMETA
“arrest me burg”
MOISI MUSABELLIU
“arrest me burg”
KRISTAQ THANASI
“arrest me burg”
HETEM BASHO
“arrest me burg”
ARMAND XHIKA
“arrest me burg”
ARMAND SHUAIPI
“arrest me burg”
AGRON DAMZI
“arrest me burg”
SOKOL LAMI
“arrest me burg”

Dje zyrat të boshatisura, Prokuroria merr dokumentet

Arrestimet shkrijnë Drejtorinë e Metrologjisë së Tiranës

TIRANE – Drejtori rajonal i Tiranës dhe gjashtë inspektorë janë arrestuar së bashku me zv.drejtorin e Përgjithshëm. Kaq është dashur që shumica e zyrave në Drejtorinë e Metrologjisë të boshatisen nga punonjësit. Në zyrat e Drejtorisë të Metrologjisë së Tiranës ka pasur dje vetëm një numër të kufizuar punonjësish, për shkak se gjashtë inspektorë janë arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Në pranga ka rënë edhe drejtori i Sektorit të Metrologjisë së Tiranës, i akuzuar se ka bashkëpunuar me vartësit e tij. Të arrestuarit janë Roland Çelmeta, 40 vjeç, me detyrë zv.drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë, Moisi Musabelliu, 35 vjeç, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit në Tiranë, dhe inspektorët e Kalibrimit në Tiranë, Kristaq Thanasi, Hetem Basho, Armand Xhika,Armand Shuaipi, Agron Damzi dhe Sokol Lami. Sipas hetimeve të Prokurorisë, thuajse e gjithë Drejtoria e Tiranës, bashkë me inspektorët e saj të Kalibrimit, ishte implikuar në kontrollet fiktive dhe në përfitimet e paligjshme që vinin nga bizneset të cilave u kontrolloheshin fiktivisht mjetet matëse, ndërsa e gjitha kjo shkonte në dëm të konsumatorëve shqiptarë. Gjatë ditës së djeshme, Prokuroria ka kryer sekuestrimin e disa dokumenteve në zyrat e Drejtorisë së Metrologjisë. Një pjesë e grupit të hetimit ka ndjekur procedurat e masave të sigurisë në Gjykatë, ndërsa pjesa tjetër ka kryer veprime në Drejtorinë e Metrologjisë, ku mësohet se janë marrë shkresa dhe dokumente që do të ndihmojnë hetimin e çështjes. Numri i madh i personave të arrestuar, thuajse ka paralizuar punën në Drejtorinë e Metrologjisë, për shkak të implikimit të 90 për qind të stafit në skandal. a.b


 

 

 

© Panorama.al

Te lidhura