Dyshime se përmban toksina, Rossmann & Lala tërheq nga tregu qumështin për foshnje “Aptamil”

Jan 29, 2026 | 21:02

Kompania Rossmann & Lala ka urdhëruar tërheqjen nga tregu shqiptar i qumështit formulë për foshnje “Aptamil”, mes dyshimeve se ka në përbërje elementë toksikë.

aptamil

“Rossmann & Lala” ka njoftuar se po tërheq nga tregu konkretisht serinë “APTAMIL 1 PRONUTRA 800G ADVANC 0,8 kg’ dhe “APTAMIL PRE PROFUTURA DUO ADVA 0,8 kg”.

Sipas kompanisë, kjo tërheqje është një masë paraprake për shkak të dyshimit se një nga seritë e prodhuara mund të ketë prani të mikroorganizmit Bacillus cereus.

“Klientë të cilët kanë blerë produktet e përmendur më sipër, mund ti kthejnë ato në dyqanin ku i kanë blerë. Çmimi i blerjes do të rimbursohet edhe pa faturë”, thuhet në njofitm.

rossman lala

Ndërkohë, edhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ka njoftuar se gjatë kontrolleve zyrtare të kryera në Gjermani, është konstatuar prani e substancës cereulide, një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus në formulë për bebe.

“Të dhënat e produktit: Emri i produktit: APTAMIL 1 PRONUTRA 800G ADVANCED; Numri i artikullit 172911; Data e Skadencës: 10/11/2026

Trupat inspektuese në terren janë angazhuar në verifikimin dhe tërheqjen e menjëhershme të produktit nga tregu.

AKU i bën thirrje konsumatorëve nëse e kanë blerë këtë produkt dhe e kanë gjendje, ta kthejnë atë në pikat e shitjes”, thuhet në njoftimin e AKU-së

Kompania prodhuese e “Aptamil”, Danone Deutschland i kërkoi distributorit Alliance Healthcare të tërheqë disa seri të Aptamil-it, të prodhuara mes muajve maj dhe gusht 2025.

Danone kishte deklaruar të premten se po tërhiqte nga tregu seri specifike të formulave për foshnje në tregje të caktuara. Kompania nuk specifikoi se cilat marka apo vende ishin të përfshira, as sasinë e produkteve, por theksoi se beson se produktet e saj janë të sigurta dhe në përputhje me të gjitha rregulloret përkatëse të sigurisë.

Sipas Reuters, shqetësimet e para për produktet e bebeve u shfaqën në dhjetor, por u përshkallëzuan në fillim të janarit, kur Nestlé njoftoi tërheqjen e disa serive të produkteve për ushqimin e foshnjave, përfshirë formulat SMA, BEBA dhe NAN, për shkak të ndotjes së mundshme me toksinën cereulide, e cila mund të shkaktojë të përziera dhe të vjella.

Tërheqjet nga tregu kanë prekur dhjetëra vende dhe më pas janë zgjeruar edhe te prodhues të tjerë francezë, si Lactalis dhe Vitagermine, duke kërcënuar humbje të kombinuara që tejkalojnë 1 miliard dollarë. Aksionet e Danone kanë humbur gati 13% të vlerës gjatë dy javëve të fundit.

Autoritetet franceze po hetojnë nëse ekziston një lidhje mes vdekjes së dy foshnjave dhe produkteve të formulës që janë tërhequr nga tregu.

Të enjten, Zyra Federale Gjermane për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Sigurinë Ushqimore njoftoi se disa seri të produkteve të Danone po tërhiqen dhe se një tërheqje zyrtare shpallet vetëm kur vërtetohet se produktet kanë arritur te konsumatorët.

Cereulide, një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus, u zbulua në një përbërës të furnizuar nga një furnitor. Ministria franceze e Bujqësisë ka deklaruar se produkti kishte origjinë nga Kina, ndërsa Autoriteti Irlandez i Sigurisë Ushqimore tha se cereulide u zbulua në vajin e acidit arahidonik të prodhuar në Kinë.

© Panorama.al

Te lidhura