Shpallet lista paraprake e fituesve në 289 degët e shkollave të larta publike në vend. Ministria e Arsimit publikoi dje edhe pikët e fituesit të fundit për çdo program. Ditën e hënë do të nisë regjistrimi i kandidatëve për studentë. Vetëm kështu ata mund ta fitojnë këtë status.Në rast se nuk zbatojnë afatet do të skualifikohen, duke humbur kështu të drejtën për të nisur universitetin. “Kandidatët fitues bëjnë regjistrimin paraprak të tyre në programin e studimit ku janë shpallur paraprakisht fitues, pranë sekretarive mësimore të fakulteteve, nga data 12 shtator 2011 deri në 18 shtator 2011, nga ora 08:00 deri në orën 18:00”,bën me dije Ministria e Arsimit. Për regjistrimin paraprak, kandidati duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarive mësimore dhe të dorëzojë dosjen individuale me dokumentet origjinale të përcaktuara. “Kandidatët, të cilët nuk kryejnë regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktuara në këtë udhëzim, për çfarëdolloj arsye, humbasin të drejtën e regjistrimit dhe të vazhdimit të procesit. Këta kandidatë nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve”, ka vendosur MASH. Për regjistrimin janë të domosdoshme: Dëftesa e Pjekurisë (në mungesë të origjinalit), vërtetim me listë notash me fotografi ose dokument me fotografi, i lëshuar nga Arkivi i Shtetit me notat përkatëse të nënshkruara nga drejtori i shkollës dhe nga kreu i DAR/ZA, dokument identifikimi (letërnjoftim ID, pasaportë) dhe fotokopje të tij (në dosje mbahet vetëm fotokopja e ID), 2 fotografi. Po kështu duhet edhe mandati i arkëtimit të tarifës së regjistrimit prej 1550 lekësh, paguar në një bankë të nivelit të dytë. Pas përfundimit të regjistrimit paraprak më 18 shtator, emrat e kandidatëve do të futen sërish në sistem. Kjo pasi gjatë regjistrimit paraprak çdo vit, mijëra fitues nuk regjistrohen, pasi ndjekin studimet jashtë shtetit. Vendin e tyre e zënë kandidatë të tjerë, të cilët mund të ngjiten në një preferencë më të mirë. Lista përfundimtare do të shpallet më 25 shtator. Kandidatët, të cilët në listat përfundimtare janë shpallur fitues në një program studimi të një preference të tyre më të lartë se ai i regjistrimit të ndërmjetëm, do të çregjistrohen nga vetë sekretaritë mësimore, nga programi i studimit ku ishin regjistruar më parë. Këta kandidatë tërheqin dosjen individuale nga sekretaritë mësimore ku janë çregjistruar dhe regjistrohen në programin e studimit, në të cilin janë shpallur fitues me listat përfundimtare. Sekretaritë mësimore të fakulteteve në datat 26-30 shtator 2011, prej orës 08:00-18:00, të kryejnë çregjistrimet e këtyre kandidatëve dhe të regjistrojnë kandidatët e rinj fitues, sipas listave përfundimtare të dërguara nga MASH-i.
Per te lexuar listen e plote per fituesit atehere klikoni mbi: PDF
ZIRINA LLAMBRO











