Uniforma e policisë, debat Bizhga-Nishani

Nov 10, 2011 | 11:32

TIRANË- Çështja e uniformës së policisë së Shtetit është bërë objekt debatesh mes deputetit të PS-së, Gazmir Bizhga dhe ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani në seancën e sotme të Kuvendit.

Në interpelancën me ministrin, Bizhga ka kërkuar sqarime për mënyrën e tenderimit për këtë uniformë, pse ajo u modelua nga firma italiane dhe rruga ligjore që është ndjekur. Bizhga ka akuzuar për dështim të tenderëve dhe ka kërkuar detaje për fondet miliardëshe të djegura dhe se ku shkuan këto para.

“Prej dy vjetësh policia pa uniforma, e zbathur për të ndjekur krimin. Cilat ishin arsyet që Policinë e Shtetit nga një polici me uniformë të vetën, po e vishni me uniformë të re, me elemente italiane?”, pyeti Bizhga ministrin.

Sipas tij, elementet e uniformës së policisë janë të kopjuara nga fqinji dhe si cdo kopjac qeveria shqiptare edhe këtë sipas tij e bëri si mos më keq. Ai akuzoi Nishanin si të vetmin ministër në Europë që nuk ka kompetenca për uniformat e policisë.

Sipas tij, Nishani duhet të japë llogari pse uniforma është miratuar në vitin 2009 dhe ngjyra e saj në vitin 2011. “Ju dogjët fondin për uniformën e policisë në vitin 2009. Ku shkoi ky fond i taksapaguesve shqiptarë?”, tha ai.

Sipas Bizhges me uniformën e miratuar ne paraqitemi si një komb pa histori dhe ky është skandal i radhës, pasi në uniformë ne kemi elementë të policisë italiane. “Ne jemi një vend i varfër dhe se kemi luksin të ndërrojmë modelet sa herë që ndërrojmë qeveritë”- tha ai.

Ministri Nishani ka sqaruar se procedurat kanë qenë konkurruese dhe në përputhje me standardet e kërkuara. “Ato sigurojnë një performancë dinjitoze të policisë sone”- ka thënë Nishani.

Ai ka sqaruar pse u mor vendimi për ndryshuar dizenjon e gradave dhe stemave. “Së pari kanë qenë gjykime të organizatës së Policisë së Shtetit, e iniciuan këtë propozim, pasi sistemi aktual i gradave dhe stemave ishte i njëjtë me atë që përdor policia e burgjeve, që nga fillimi i policisë shtetërore dhe private, nuk kishte ndryshim mes tyre. Ka qenë një gjykim i drejtë për të ndryshuar këtë dizenjo dhe kjo u bë mes një procesi përzgjedhjeje nga specialistë të kësaj policie”- tha Nishani.

Ne lidhje me vendimin e qeverisë qe përjashtoi bërjen e tenderit për uniformat nga ministria e Brendshme, Nishani ka deklaruar se eshte bere në përputhje me ligjin për prokurimet publike. “Të gjitha procedurat e ndjekura kanë qenë të rregullta. Subjekti fitues që ka pasur probleme me policinë e shtetit, por ne duhet të mbështesim funksionimin e shtetit ligjor, nëse një subjekt paraqitet me dokumentet që vetë shteti kërkon, nëse bëjnë penalizime subjektive ne shkatërrojmë sistemin”- tha ai.

Ndryshimet ne Komisione

Ne nisje te seances, Kuvendi i Shqiperisë miratoi unanimisht propozimet e kryetarit të grupit kuvendor te PS-se, Gramoz Ruci për disa ndryshime në komisionet parlamentare.

Keshtu deputeti Ditmir Bushati do të zërë vendin e Ermelinda Meksit në krye të komisionit parlamentar të integrimit.

Deputeti Marko Bello do të kalojë nga komisioni parlamentar për edukimin në komisionin e integrimit, ndërsa Paulina Hoxha do të zëvendësojë Bellon në komisionin për edukimin.

© Panorama.al

Te lidhura