Unë gruaja, përballë!- Teori se si të intervistosh një burrë

May 29, 2011 | 12:20

Me shumë durim kam kuptuar që nuk është aspak mision i pamundur që të marrim vesh se çfarë mendojnë në të vërtetë burrat, edhe pse përgjigjen me fjalë të lidhura në mënyrë diplomatike. Paraprakisht bie dhjetë kg nga pesha sa t’u gjesh anën (se nxitojnë) dhe mbasi u mbushet mendja, i ke përballë. Unë ju këshilloj që përpara të bëni një seancë të thellë meditimi, për të pastruar me themel ndërgjegjen. Kjo për t’u bindur edhe vetë se nuk je aq e frikshme sa ç’të trajtojnë zakonisht, kur duan t’u shmangen intervistave.
Në fazën e dytë duhet të jemi shumë me takt. I paraqesim pyetjet. Në shumicën e rasteve i marrin lehtë dhe nënqeshin vëngër (ja kjo s’më lë rehat). Papritur të vjen pyetja: “Për çfarë të flas këtu për shembull?”. Më mirë i lemë të reflektojnë dhe gati pyetja e parë:
-Çfarë është një femër?
Përgjigjja: Po ja… është vetë jeta. Krahu im i djathtë. Jo se dua t’i lavdëroj, po femra është e drejtë. Me inteligjencën e saj arrin të punojë kudo. Çdo gjë rrotullohet rreth saj….
Në fakt ai donte të thoshte: “Femra? Eee! Mua më gjete të më pyesësh. Është torturë. Krahu im i djathtë i thyer. Është nepërkë. Inteligjenca… edhe mushkonjat s’kanë nge të rrotullohen rreth saj”.
Pyetja e dyte:
-Si do të ishte bota pa femrën?
Përgjigjja: Tmerr. Do të zgjohesha çdo ditë me mendimin se diçka më mungon. Nuk do të kisha se kujt t’i merrja një mendim ndryshe. Nuk shtyhet fare jeta pa femra.
Përgjigjja e sinqertë: “Yll do të ishte bota. Zgjimi për qejf, kur të doja unë, dhe jo kur të më ngrinte ajo fluturim se u bëmë vonë për në punë. Ah liri! Stadium, birra e prapë stadium me shokët. Do të bëja me kokën time. Jeta ecën vaj”.
Pasi ta keni mbaruar intervistën, mos i kërkoni një të dytë se prapë të njëjtat gjëra do t’ju thotë.
Javën tjetër, në “Leksionin numër 2” do të jetë teoria mbi mënyrën se si të intervistoni një femër.
Sa zili do të kem nëse po e lexoni gazetën në plazh! Kujdes nga burri, me falni nga kremi i skaduar!

 

Anilda Kaçaçi
e-mail: [email protected]

© Panorama.al

Te lidhura