Ka dale receta më e shpejtë se si të gatuash një grua në 30 minuta. Për këtë përgatitje, një burri i duhen: nerva, fjali të prera shkurt, ujë i përvëluar, piper, 1 kg qepë nga ato që të përcëllojnë sytë, po patët edhe nja dy fjali të gatshme të llojit: “Ho mi se vetëm ty të kam” dhe “Për ty po punoj!”. Nevojitet një enë e madhe për ta marinuar si fillim me vaj e uthull. Në ka funksionuar siç duhet, e provon tek sytë. Nëse janë gati duke qarë, lihet edhe ca minuta të tjera, po qeshi edhe kur nuk i qeshet, kuzhinieri ka ditur të punojë mirë me të. I hidhet piper pa kursim, se i shërben kalitjes ndaj thumbimeve. Në krahasim me piperosjen, asaj i duken si ledhatime kur i thotë: “Kur del ti, dielli ikën me vrap”. I lë pak sa të veprojnë dhe merren nervat gjysmë të acaruara dhe i gradon aq sa ajo vetvetiu përsërit: “Mirë, mirë…”. Deri tani është bërë gjysma e punës. Furra nxehet që më parë në 250 gradë celcius. Fjalitë e prera shkurt i shton pak nga pak. Rrugën nga tavolina deri tek furra e di me sy mbyllur. Vullneti i të shoqit quhet i përmbushur kur ai të arrijë shijen që ka llokoçitur në mendjen e tij. Tani e kanë kohën qepët e grira imët. 1 kg do ta ndihmojë për t’ia hedhur në erë kapakun e kokës si ca bomba të vogla lotsjellëse. E thjeshtë kjo recetë bëhet nëse gruaja që po gatuhet, qepët i ka pasur në regjim të përditshëm. Uji i përvëluar do të bëjë shuarjen e çdo kryengritjeje të vogël. Burrat i preferojnë ushqimet e tyre të buta, që të mos u rëndojnë në stomak.
Këshillë:
Nëse ka preferenca të veçanta, gatimit i rrihet mbi kokë dhe trazohet me lugë druri deri sa masa homogjene të jetë gati për pjekje.. Mjeshtri e kupton që nga aroma, nëse i duhet edhe më shumë ujë, piper apo… çdo gjë e bën me durim, se e di që në fund do të jetë i ngopur e i qetë.
Autori bëhet kurioz:
Po sikur ai të pengohet pa dashje kur të jetë duke e futur tavën në furrë? Çdo të bëhet me gruan?
Sqaroj shqetësimin tuaj, të burrit e të autorit:
Sa hap e mbyll sytë ajo ka mbledhur ato që ranë në tokë, hap derën e furrës, futet vetë në tavë e me një kërrusje të shpinës i fiton atij një shtendosje të shumëpritur të vetullave. Finalja: ai lan duart me ujë të bollshëm, heq uniformën e përlyer me njolla të vjetra dhe.. dreka gati. Përtypet duke u mbllaçitur me kafshata të mëdha, pa llogaritur kaloritë. Pjekja është bërë e mirë, se ajo është kthyer vetë që ky të mos i digjte duart. Grykësia i kishte mbetur në majë të pirunit e tek nja dy fije brinjësh që i kishte lënë për t’i lëpirë me nge nga fundi. E hëngri të shoqen me një të kapërdirë.
Kulmi i suksesit të kësaj recete është pjata e servirjes. Në buzët e saj shkruhet:” Oreksi vjen duke ngrenë.”
O gra, duhen hequr nga përdorimi: piperi, qepa e ato që lexuat më parë. Gjithë këtë e sajova kur më erdhi në mend një grua, e cila më tregonte (prapë gjatë një pasditeje në punë) se si ai i frymëzuar kërkonte t’i jepte asaj formën që ai kërkonte tek ajo.
Nuk e kam bërë asnjëherë, por sot, si e ditë e diel që është, dua t’u përcjell një gjest përkrahjeje burrave që do të gatuajnë për ne femrat. Le të shohim !
Anilda Kaçaçi
e-mail: [email protected]











