Unë gruaja, përballë!- Evolucioni femëror i votimeve

May 8, 2011 | 12:25

E kam pasur shumë frikë fjalën “votime” kur isha e vogël. E fusja kokën nën jorgan (gjë që e bëj edhe tani, si për forcë të zakonit). Ishte e vetmja ditë (ose më saktë, që me natë) që më linin vetëm në shtëpi. Më zgjonte një këngë e vjetër që dëgjohej nga larg dhe e gjithë familja si një ushtri e vogël gumëzhinte nëpër shtëpi. E kam si të turbullt këtë kujtim, por më duket se visheshin me rrobat më të bukura, dhe pse isha e sigurt se nuk bëhej fjalë për festë. Kur çelësi bënte rrotullimin e fundit në derë, më zmadhoheshin veshët vetvetiu. Di që ajo ishte e vetmja ditë (që me natë doja të thoja), që u hynte në punë letër-njoftimi prindërve të mi. Pas më pak se dhjetë minuta, çdo gjë normalizohej. Ktheheshin në shtëpi si nga një ritual për të cilin nuk duhej të flitej kurrë. Të njëjtat fytyra, e njëjta melodi. Këto veprime i lidhja gjithmonë me portretin e një burri që vinte derë më derë dhe, me zërin që dridhej e me qafën e kuqe, na sillte ca fletushka të vogla. Faji nuk është i imi që nuk merrja vesh se ç’bëhej, se atëherë nuk kishte as fushata elektorale. As ata “të votimeve” nuk e dinin se për çfarë i hynin në punë votimet. Pas ca kohësh, në fazën “e daljes së puplave”, flitej vetëm për votat. Kjo periudhë u shoqërua me zhdukjen e atij burrit që mbinte derë më derë, orar pa orar e që me një të hapur të derës ai arrinte të gjente se sa pjata kishim brenda në bufe. Burrat që e zëvendësuan, nuk vinin shtëpi më shtëpi, por dilnin në televizor. Asnjë nuk njihja dhe habitesha se sa kishin qenë deri atëherë! Për çështje ditësh ua mësova emrat të gjithëve. Me afërsi kjo është koha kur dy gishtat e ngritur u bënë më të shpeshtë se grushti i mbledhur. Këta burrat njëherë thoshin se ishin shokë, njëherë bëheshin armiq. Pastaj pajtoheshin edhe luanin bashkë.
Shkëputje publicitare:
Rubrika “Unë gruaja, përballë..” ju fton të votoni për kandidatin më simpatik!
Këtu filloi gjithë vështirësia për mua. Sinqerisht, tre herë nuk kam votuar, se më kishte ngelur hatri me ca qëndrime të burrave që vendosnin. Por një ditë, m’u ndërrua mendja edhe mua. E kam të qartë si tani që dielli shkëlqente dhe bashkë me tim vëlla shkuam të votonim tek qendra që e kemi ngjitur me pallatin tonë. Neve që hynim sikur na kishte porositur njeri: ecnim ngadalë, të përmbajtur. Ata që dilnin sapo kishin votuar, na përshëndesnin duke na e tokur dorën. Dukeshin sikur sa e kishin hequr nga një dhëmb e na jepnin zemër neve. Firmosa përbri emrit tim, ngjyrosa gishtin dhe mora fletën. Nga “dhomëza” e fshehtë më dilte vetëm koka dhe dalloja gjashtë sy të burrave të komisionit. E vetmja femër që ishte, përshëndeste votuesit, ndërsa tre të tjerët rrinin hijerëndë, thua se mbanin nga një darë poshtë tavolinës. Dolëm jashtë e për çudi, hapi edhe mua më ndryshoi. Kisha votuar, tani më ndryshe. Këtë të diel gëzoj njësoj si për Vit të Ri. Në orën dhjetë do të jem “tek vendi”. Më pëlqen shumë pjesa që tani zgjohem me nge, dëgjoj radion që dua, vesh ç’të ma japë truri, palos fletën e votimit dhe e fus në kuti.
Sa keq më vjen që gjithë këtë kënaqësi ma prish mendimi se edhe kësaj radhe në foto tek muret e pallateve ka më shumë zotërinj të kollarisur e më pak gjini femërore me flokë të drejtë apo me kaçurrela. Për nja dy vjet do të ketë zgjedhje prapë, e uroj që të më plotësohet kjo dëshirë.
Tani do të bëj si dikush që e thotë datën e orën edhe në gjumë:
E hënë, 9 maj, 2011. Ora e saktë shënon: pikë e mëngjesit fiks. Të gjithë do të flasin për zgjedhjet. Nëse do të ketë më shumë fituese, se sa fitues: një në dorë për ne!

 

Anilda Kaçaçi
e-mail: [email protected]

© Panorama.al

Te lidhura