Nga nevoja për t’iu përshtatur kushteve të mjedisit dhe atyre shoqërore, unë vazhdoj të besoj se femrat kanë edhe një shqisë të tetëmbëdhjetë. Kjo i jep përparësinë për të shquar me lehtësi burrin e duhur. Atë me të fortin, më të mençurin, më të gjithkundgjendurin….Nga këto që rendita, do ta ngatërroni me “Supermenin”. Ngatërrojeni! Ai nuk e ka për gjë të premtojë botën, të ndalojë shiun, të luajë ditë e natë pa pushim me video games. Pse të bëhemi egoiste e të kërkojmë më shumë nga jeta. Në fakt, edhe atij i duhet të kalojë ca prova. Sipas shprehjes se miku i mirë njihet në kohë të vështirë, ne e ndryshojmë dhe e përshtatim: “Burri i mirë, në kohë të vështirë”.
I shkojmë duke turfulluar si sirena se diçka nuk ka shkuar mirë në punë.
Atëherë, tek ai ndizen sistemet e alarmit. “Shpirti” është mërzitur. Bëhet i butë, të bën për të qeshur, organizon një arratisje nga qyteti dhe pak nga pak të kalon gjithë ankthi i krijuar. Por, ana tjetër e medaljes është pak si e paqartë. Mezi e pranon se thjesht ishe duke ëndërruar. Ai është me shokët duke folur për një lojtar të Juves që e ka blerë Barcelona. Ja pra, ra edhe miti i “Supermanit”. (Ju lutem, lexojeni me “a” se është më burrërore!)
Prova e dytë ka në thelb nevojën për të siguruar veten se mund t’i lesh pa frikë diçka në dorë.
I kërkon t’i hedhë nga një sy fëmijëve që luajnë.
Këtë e bën me filozofinë se, kur të vijë ai në shtëpi, nuk duhet të pipëtijë as miza. Qëllon që fëmijët ta pyesin se pse ai beson akoma se bebet dalin nga vazoja e trëndafilit. Këtu miti i “Supermanit”, bie për herë të dytë. Rënia shoqërohet me fjalinë: Burrat kanë punë të tjera.
Burrat nuk e kanë shumë me qejf këtë punën e rënies së njëpasnjëshme të miteve dhe unë po bëj sikur sapo kam nisur një fushatë tolerance. Vetëm më besoni që kësaj radhe nuk do të pres më 8 Marsin për të festuar të gjitha betejat e fituara. Edhe në kohë të vështira, nuk është se gjendja ka ndonjë pamje tjetër. Janë të njëjtat personazhe, të njëjtat gra që bëjnë çu-çu-çu lart e poshtë. Pse të mos ua vështirësojmë gjërat me grafik???
Atëherë mos mendoni vetëm për plazh, pushime, se argëtimin më të madh e keni në krah!
Anilda Kaçaçi
e-mail: [email protected]











