Unaza e Madhe, Kopshtit Botanik i merret një hektar

May 21, 2011 | 11:46

Është ligjëruar me një vendim, kalimi i një pjese të Kopshtit Botanik nën administrim të Ministrisë së Punëve Publike dhe Drejtorisë së Rrugëve, në funksion të ndërtimit të Unazës së Madhe. Segmenti i këtij projekti që prek Kopshtin Botanik është ai që fillon nga Komuna e Parisit deri në rrugën e re Tiranë-Elbasan, kurse sipërfaqja që kalon në favor të këtij projekti është 9 mijë e 263 metra katrorë. Për vetë faktin që në këtë proces përfshihen një seri institucionesh, qeveria duket se ka ndarë punën për secilin prej tyre. Fillimisht është Ministria e Transporteve ajo që merr nën administrim këtë territor. Ministrisë së Arsimit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve i është caktuar që t’u komunikojë drejtuesve administrativë të Kopshtit Botanik që të marrin masa për zhvendosjen e vlerave të florës që preken nga transferimi i pasurisë. Lidhur me këtë proces, kësaj administrate i është vënë në dispozicion një shumë parash prej 200 mijë lekësh, në mënyrë që të mbulohen shpenzimet operative për zhvendosjen e vlerave të florës. Do të jetë buxheti i Ministrisë së Transporteve ai që do të bëjë transferimin për llogari të Kopshtit Botanik. Nga ana tjetër, Drejtorisë së Rrugëve i është kërkuar që të marrë gjithë masat e nevojshme për zbatimin e projektit dhe vijimin e punimeve për ndërtimin e Unazës së Madhe.

© Panorama.al

Te lidhura