Ultimatumi i Iranit ndaj SHBA-ve: Hiqni “kërkesat e tepruara” për arritjen e një marrëveshjeje

Feb 27, 2026 | 10:10

Irani ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të heqin “kërkesat e tepruara” në bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje bërthamore, pas takimeve të fundit në Gjenevë. Ministri i Jashtëm iranian, Abas Arakçi, theksoi se për të arritur një marrëveshje, është e nevojshme të shmangen kërkesat e tepruara dhe çdo lloj kalkulimi të gabuar nga ana e Uashingtonit.

arraghci

Në negociatat e fundit, Shtetet e Bashkuara kërkuan që Irani të shkatërrojë tre nga instalacionet e tij kryesore bërthamore dhe të dorëzojë të gjitha stoqet e uraniumit të pasuruar në Uashington. Megjithatë, Irani ka refuzuar propozimin për transferimin e uraniumit jashtë vendit dhe ka shprehur kundërshtime ndaj mbylljes së impianteve të tij bërthamore dhe ndalimit të pasurimit të tij.

Propozimet e Iranit dhe kërkesat e SHBA

Shtetet e Bashkuara kërkojnë një marrëveshje të përhershme, pa rregulla të përkohshme si në marrëveshjen e mëparshme bërthamore (JCPOA), nga e cila SHBA u tërhoqën gjatë administratës Trump. Ndërkohë, Irani vazhdon të insistojë për të drejtat e tij në pasurimin e uraniumit dhe ka propozuar disa mundësi për të ulur nivelin e pasurimit, duke e ulur nga 60% në 1.5% ose duke e pezulluar për disa vite.

Shtimi i tensioneve dhe pranisë ushtarake

Kërkesat e SHBA-së vijnë pas një fjalimi të presidentit Trump në Kongres, ku ai akuzoi Iranin për përpjekjet për të prodhuar armë bërthamore dhe raketa balistike, akuza që Teherani i ka mohuar. Po ashtu, presidenti amerikan ka kërcënuar me veprime ushtarake në rast se bisedimet dështon, duke forcuar praninë ushtarake të SHBA në Lindjen e Mesme.

Në këtë kuadër, SHBA kanë dërguar një numër të madh aeroplanësh luftarakë dhe anije luftarake në rajon, ndërsa Irani ka paralajmëruar një “përgjigje të gjerë” ndaj çdo sulmi.

Perspektivat për një marrëveshje

Ekspertët vlerësojnë se kjo mund të jetë mundësia e fundit për një marrëveshje, dhe nëse bisedimet dështojnë, SHBA mund të kalojnë në zgjidhje ushtarake. Ndërkohë, Irani po shqyrton mundësinë e një marrëveshjeje që mund të lehtësonte disa kërkesa të SHBA për pasurimin e uraniumit, duke e përdorur për qëllime paqësore, si prodhimin e izotopëve mjekësorë.

© Panorama.al

Te lidhura