TIRANË- Drejtori i Ujësjellësit dhe Kanalizimeve (UKT), Sahit Dollapi ka bërë me dije sot aplikimin në Entin Rregullator te Ujit (ERU), për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm.
Sipas tij, UKT propozon rritjen e çmimit për popullatën me 22 lek/ m3. “Thënë ndryshe çmimi i propozuar prej nesh për popullatën është 55 lek për 1 mijë litra ujë”- tha Dollapi, duke e argumentuar rritjen në kuadër të vizionit e projekteve që kjo ndërmarrje ka për të ardhmen.
Ndryshe nga familjarët, një rritje më e madhe propozohet për entet buxhetore. Për to çmimi rritet me 40 lek/ m3 dhe me 30 lek/ m3 propozohet rritja e çmimit për entet private. “Ndërsa për prodhimin e pijeve alkoolike, pijeve freskuese dhe ujit të ambalazhuar ne propozojmë rritjen më të madhe me 60 lek/ m3”- tha më tej ai.
Ashtu si një vit më parë, Ujësjellësi i Tiranës ka përjashtuar nga propozimi për rritjen e çmimit furrat e bukës, ku mbetet i pandryshuar, 95 lek/ m3.
Dollapi ka bërë një analizë të punës dhe krahasim mes treguesve te vitit 2009 , kur erdhi ne detyrë dhe vitit 2010, gjatë të cilit u aplikua një çmim i ri i ujit. “Ndryshimi është i dukshëm, por jo i mjaftueshëm, sepse objektivi i UKT-së është furnizim me ujë pa ndërprerje për të gjithë zonën që mbulon”-tha ai, duke shtuar se “Ky objektiv, vijoi më tej kreu UKT-së, nuk mund të arrihet pa një buxhet të mjaftueshëm dhe pa të ardhura të qëndrueshme Dhe, kurrsesi, nuk mund të arrihet nëse uji, malli që ne prodhojmë, shitet nën kosto, siç ka ndodhur deri më sot”.
© Panorama.al











