UEFA, tjetër dosje trukimesh në FSHF

Jan 24, 2012 | 13:02

Një muaj pas raportit të parë, tjetër “bombë” në Federatën Shqiptare të Futbollit

Dyshohet se janë të përfshira të gjitha klubet e Superiores
UEFA ka dërguar ditët e fundit në Federatën Shqiptare të Futbollit një tjetër dosje me të dhëna të mbledhura nga Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve, ku ka dyshime të forta se ndeshje të Kategorisë Superiore të këtij sezoni mund të kenë qenë të manipuluara. Realisht situata është alarmante, pasi sipas raportit konfidencial të UEFA-s që ka mbërritur ditët e fundit në Federatën Shqiptare të Futbollit, ndër të tjera thuhet se janë të dyshuara të gjitha skuadrat. Nëse këto dyshime do të dilnin të vërteta, atëherë mund të thuhet se futbolli shqiptar përfundimisht është në humnerë. Ashtu si edhe në raportin e muajit dhjetor, UEFA ka dhënë sinjale të qarta se nuk bëhet fjalë vetëm për ndeshje të këtij sezoni, por edhe të sezonit të kaluar. FSHF nuk ka dashur të japë hollësi dhe detaje rreth dosjes së fundit që ka dërguar institucioni më i lartë i futbollit europian. Megjithatë, burime konfidenciale brenda federatës pohuan për “Panorama Sport” se çështja e dosjes së mbërritur së fundmi në federatë, është diskutuar edhe në Komitetin Ekzekutiv, por është marrë vendim që të mos bëhen publike detajet. Pas dosjes së parë që mbërriti në FSHF në muajin dhjetor, drejtuesit e lartë të FSHF-së deklaruan se do të ngrihej një komision hetimor që do të merrej posaçërisht me këtë problem, por deri tani nuk dihen emrat e këtij komisioni, nuk dihet se si po ecin hetimet dhe nuk ka pasur ndonjë deponim apo ndonjë konsultë me Prokurorinë e shtetit shqiptar nga ana e Federatës sonë. Zyrtarët e FSHF-së nën zë kanë pohuar se Prokuroria shqiptare ka marrë në shqyrtim disa nga raportet e dosjes së parë që mbërriti në dhjetor. Ndryshe nga dosja e një muaji më parë për informacionet mbi trukime të mundshme të ndeshjeve shqiptare ku përmendeshin vetëm ndeshje të kampionatit, mësohet se tani janë të dyshuara edhe një sërë ndeshjesh të Kupës, ku janë të përfshira edhe skuadra të Kategorisë së Parë.

VENDIMET E KE-SË
1. Miratimi i datës, vendit dhe orës se zhvillimit të Asamblesë së Zakonshme. Asambleja e Zakonshme do të zhvillohet më datë 22.02.2012, ora 10:00 në qytetin e Shkodrës.
Miratimi i rendit të ditës së Asamblesë
2. Miratimi në parim i krijimit të Komisionit të Etikës të FSHF-së. Ky Komision, anëtarët e të cilit do të miratohen nga Asambleja, do të funksionojë mbi bazën e një rregulloreje të posaçme, që do të quhet Kodi i Etikës së FSHF-së. Ky komision do të shqyrtojë çështje të tilla, si implikimi i zyrtarëve, lojtarëve, trajnerëve etj., në raste marrje ryshfetesh, implikime në baste dhe trukime ndeshjesh, konflikti interesi, diskriminimi etj.
3. Përcaktimi i procedurës së shqyrtimit dhe vlerësimit të informacioneve të sjella nga UEFA lidhur me dyshimet për ndeshjet e trukuara.
Deri në përcaktimin e Komisionit të Etikës, informacionet e sjella nga UEFA lidhur me dyshimet për ndeshje të trukuara, pasi të bëhet seleksionimi i tyre sipas nivelit të dyshueshmërisë së trukimit 1, 2 apo 3, ku pa dyshim niveli 3 është ai më i larti, do të kalojnë në Komisionin e Disiplinës, i cili do të ngarkojë inspektorët e Disiplinës për të hetuar lidhur me këto informacione. Raporti i tyre do të shqyrtohet nga Komisioni i Disiplinës, i cili më pas do të marrë vendime.

JETMIR HALILAJ

© Panorama.al

Te lidhura