Ish deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi ka komentuar përplasjet e fundit të brendshme brenda selizë rozë, mes kryeministrit Edi Rama dhe ish ministres së Jashtme Elisa Spiropali, si dhe reagimet e kësaj të fundit pas ngjarjes.
I ftuar në News24, ish deputeti socialist u shpreh se diskutimet e fundit brenda Partisë Socialiste nuk i sheh si një debat real, ndërsa u ndal më gjerësisht në atë që ka ndodhur me ish ministren Spiropali. Sipas tij, ish ministrja e Jashtme, me reagimin e një dite më parë, identifikoi disa problematika, por shtoi se tashmë është vonë.
Koçi u shpreh se ajo duhet të niste me një “mea culpa”, pasi sipas tij, ish ministrja ka patur një rol në atë që mund të ketë ndodhur në PS.
“Ne kemi parë dje një shprehje publike të zonjës Spiropali, e cila është përpjekur të identifikojë disa problematika. E para, mendoj se është vonë sepse gjykoj që përtej të drejtës që ka gjithkush për të reflektuar, gjithmonë duhet të fillojë nga një lloj mea culpa, sepse Spiropali nuk është se nuk ka rol në gjithçka që është ndërtuar në këto vite në PS dhe në mënyrën e funksionimit të saj. Ajo është një politikane që ka ecur me progres të jashtëzakonshëm në këto vite dhe prandaj ka merituar disa funksione të larta por kur vjen fjala te mënyra se si funksionon partia, të gjithë kanë pak a shumë një lloj gishti me atë që ka ndodhur. Mendoj se duhet një qasje gjithmonë konstruktive për të identifikuar probleme dhe më pas për të propozuar rrugëzgjidhje. Duhet edhe pakti i duhur për të mos krijuar keqkuptime në mbështetësit e PS.”, u shpreh ish deputeti.
Sipas tij, situata e Spiropalit është personale pasi vjen pas shkarkimit të saj si ministre. I pyetur nëse pas shkarkimit të Spiropalit qëndron Belinda Balluku, sikurse është përfolur, ai tha se nëse kjo është e vërtetë, do të ishte një vendim i padrejtë.
“Në rastin konkret është një situatë personale, se po ndodh në momentin që është shkarkuar si ministre e jashtme. Ajo dhe Rama duhet ta dinë arsyen e vërtetë, ka vetëm hipoteza. Balluku? Nuk e di, është një gjë që varet, roli si ministre e jashtme ka qenë i rëndësishëm, nëse do të ishte për rastin Balluku mendoj se nuk do të ishte vendim i drejtë por i kompromentuar. Kjo nuk ka të bëjë me funksionin e saj si ministre e jashtme. Kjo është çështje e brendshme e PS dhe nuk hyn te ato rastet që statuti paracakton si të dënueshme. “, shtoi ai.
© Panorama.al












