Deputeti Belind Këlliçi ka reaguar nga SHBA, pasi është proceduar penalisht nga Policia e Shtetit për nxitje dhune gjatë protestës së opozitës një ditë më parë, 10 shkurt, ku qytetarët u përplasën më policinë.
Këlliçi thekon si ai nuk ka qenë i pranishëm në protestë, por duke takuar prokurorin shqiptaro-amerikan që garon për në Kongresin e SHBA nën rradhët e Partisë Republikane, Robert Lulgjuraj, në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” në Miçigan.
Ai e ka cilësuar kryepolicin Ilir Proda si ushtarin e krimit të organizuar, që sipas tij, e ka marrë nën hetim pa qenë në protestë.
“Policia e Shtetit në Tiranë, e drejtuar nga ushtari i krimit të organizuar Ilir Proda, më paska proçeduar dhe marë nën hetim për organizimin e protestës dhe udhëheqjen e përplasjes me efektivët e rendit”, shkruan ai, ndërsa shton se “kjo dëshmon targetin politik që e ka gati narkodrejtuesi dhe shërbëtori i bandave, Proda”.
Më tej, deputeti i bëri thirrje Prodës t’ia ruaj dosje për protestën e radhës më 20 shkurt, pasi atëherë do jetë pjesë e tubimit.
“I them Prodës dhe shefit të tij, kreut të narkoshtetit Edi Rama, ta ruajë dosjen për protestën e 20 shkurtit, pasi do jem aty, në vijën e parë, bashkë me demokratët dhe qytetarët që nuk pranojnë korrupsionin e krimin si normë, si rregull, si rend”, shkruan ai.
Reagimi i Belind Këlliçit: Ndërkohë që takoja mikun tim Robert Lulgjuraj në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” në Miçigan, prokurorin shqiptaro-amerikan që garon për në Kongresin e SHBA nën rradhët e Partisë Republikane, mësoj se Policia e Shtetit në Tiranë, e drejtuar nga ushtari i krimit të organizuar Ilir Proda, më paska proçeduar dhe marë nën hetim për organizimin e protestës dhe udhëheqjen e përplasjes me efektivët e rendit!!!
Kjo dëshmon targetin politik që e ka gati narkodrejtuesi dhe shërbëtori i bandave, Proda, i cili pavarësisht se ndodhem jashtë vendit dhe një oqean larg, më bën letrat për prokurori.
I them Prodës dhe shefit të tij, kreut të narkoshtetit Edi Rama, ta ruajë dosjen për protestën e 20 shkurtit, pasi do jem aty, në vijën e parë, bashkë me demokratët dhe qytetarët që nuk pranojnë korrupsionin e krimin si normë, si rregull, si rend.
Krenar për secilin demokrat e qytetar që dje u përball me dhunën e paprecedentë policore dhe i bëj thirrje çdo shqiptari, që më datë 20 shkurt, të dalë në shesh, jo për partitë politike, por për atdheun, për flamurin tonë kombëtar🇦🇱
PS: Përtej banalitetit që prodhon shteti i drejtuar nga Edi Rama, gjej rastin të ftoj çdo shqiptar në shtetin e Miçiganit dhe kudo tjetër, të mbështesë me çdo mundësi Robert Lulgjurajn, në këtë shans historik, që një shqiptar të ulet në Kongresin Amerikan 🇦🇱🤝🇺🇸
© Panorama.al












