U përjashtua 20 ditë nga Kuvendi, Shehaj: Nuk ofendova njeri, por përcolla zërin e banorëve të Rrjollit që protestojnë për pronat e tyre! Parlamenti po mbron të korruptuarit

Mar 5, 2026 | 10:24

Deputeti dhe kreu i partisë Mundësia, Agron Shehaj është larguar nga seanca plenare pasi u përjashtua me 20 ditë nga Sekretariati i Etikës për shkak të tensioneve të së hënës.

Në një prononcim për gazetarët, deputeti u shpreh se nuk shau apo ofendoi njeri në seancën plenare të së hënës por vetëm përzolli zërin e banorëve të Rrjollit që prej kohësh kërkojnë të drejtën e tyre për pronat që po iu grabiten nga ndërtimi i një resorti turistik në zonë.

“Unë të hënën bëra atë që duhet të bënte çdo deputet, të sjellë në Kuvendin e Shqipërisë zërin e qytetarëve. Ndërkohë në Rrjol qytetarët po protestojnë se iu është rrëmbyer prona, 150 hektarë nga ish drejtori i Hipotekës. Policia bën sehir, dhe policia private, banditë të veshur me kapuç e shkopa gome, rrahin protestuesin që mbrojnë pronën e tyre.

Për këtë çështje fola, nuk shava e shtyva apo ofendova njeri. U tregova edhe pamjet se mesa duket nuk i kishin parë, ka të moshuar që janë dhunuar deri aty sa iu kanë thyer këmbën. Një 19 vjeçar është goditur me grushta. Parlamenti është kthyer në mbrojtje të të korruptuarve. Për pronat do të protestojmë dhe sot, në orën 6″, tha ai.

Çfarë ndodhi në seancën e së hënës?

Deputeti Shehaj u përplas me socialistët për protestat e banorëve të fshatit Rrjoll, të cilët janë ngritur kundër ndërtimit të resortit nga kompania “Genner 2”, dhe u përjashtua nga seanca plenare.

Pasi mbaroi fjalën e tij, Shehaj fillimisht nuk po lironte foltoren, ndërsa më pas iu afrua socialistëve në tavolina duke i treguar foton e një 19-vjeçari të dhunuar nga policia në Rrjoll.

“Plasi sytë këtu, po mbron pronën e vetë”, tha ai duke i bërtitur pranë fytyrës Taulant Ballës, ndërsa nënkryetarja e Kuvendit i komunikoi më pas masën e përjashtimit nga seanca plenare.

© Panorama.al

Te lidhura