U paralizua nga aksidenti, vetëmbytet te liqeni

Sep 20, 2011 | 11:55

TIRANË – Një 48-vjeçar, gjysmë i paralizuar, u gjet i mbytur mëngjesin e djeshëm te Liqeni Artificial në Tiranë. Disa kalimtarë fillimisht kanë parë një karrocë invalidi në bregun e liqenit, më pas trupin e një burri që ndodhej në sipërfaqen e ujit dhe kanë lajmëruar menjëherë në Sallën Operative të Policisë së Tiranës. Fillimisht u dyshua se dikush mund ta kishte shtyrë drejt liqenit personin që lëvizte me karrocë, por më vonë u mësua që bëhej fjalë me vetëmbytje. Policia mundi të identifikonte personin e mbytur nëpërmjet një libreze të invaliditetit që u gjet në vendin e ngjarjes. Sipas burimeve, ai është Roland Tase, 48 vjeç, me origjinë nga Durrës. Menjëherë, policia ka lajmëruar familjarët e tij për ngjarjen, të cilët me deklarimet e tyre në polici, kanë shpjeguar arsyet e vetëvrasjes së Tases. Sipas të afërmeve të viktimës, 48-vjeçari prej muajsh po kalonte një periudhë të rënduar depresioni, të ardhur si pasojë e një paralize të pjesshme. “Ai nuk kishte arritur ta pranonte në asnjë moment faktin që do të lëvizte gjatë gjithë jetës me një karrocë invalidi”, kanë shpjeguar familjarët. Burime nga Policia thanë se viktima, rreth një vit më parë ishte aksidentuar, duke mbetur i paralizuar në njërën anë të trupit. Për këtë arsye, ai nuk mund të ectë më dhe kishte nisur edhe mjekimin me antidepresiv. Ngjarja që i shkaktoi paralizën 48-vjeçarit, ka ndodhur në afërsi të rrugës që të çon te teleferiku në Tiranë, më 28 janar të vitit 2010. Roland Tase ka qenë duke kaluar nga njëri krah i rrugës në tjetrin, në momentin kur është përplasur nga një autobus. Sipas Policisë, për këtë ngjarje u ndalua,Astrit Lala, shoferi i autobusit tip “Renault” me targë TR 1996 T, i cili u hetua në gjendje të lirë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Ndërsa i aksidentuari, Roland Tase, u transportua me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku mjekët arritën t’i shpëtojnë jetën, por dëmtimi në shtyllën kurrizore rezultoi fatal, duke e detyruar që të mos ecte më.

© Panorama.al

Te lidhura