Protesta kombëtare e opozitës mbrëmjen e së shtunës përfundoi me të lënduar të shumtë mes protestuesve dhe 23 persona të shoqëruar, mes tyre edhe një i mitur.
Policia e Shtetit e pranon se ka shoqëruar edhe një fëmijë mes tyre, por sipas informacioneve, pretendohet nga blutë se ai po qëllonte me gurë ndaj efektivëve dhe ishte 14 vjeç. Pas kryerjes së procedurave, ai u la i lirë.
Opozita e akuzoi Policinë për dhunim të protestuesve, deri edhe fëmijë. Denoncim për dhunë pati edhe nga një protestues 34-vjeçar, nga Berati.
Në reagimin zyrtar, policia thotë se si pasojë e sulmeve me bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta para Kryeministrisë dhe sallës së Kuvendit, janë lënduar dhe 11 punonjës policie.
Opozita e mohoi që në spital të kishin shkuar efektivë të lënduar.
Sipas njoftimit, “efektivët e dëmtuar po marrin ndihmë mjekësore dhe janë vizituar në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegies, në prani të Drejtorit Vendor të Policisë së Tiranës, Elton Alushi, dhe Zëvendësdrejtorit për Rendin, Dashnor Muhaj”.
Njoftimi zyrtar:
“Gjatë tubimit të sotëm, të thirrur dhe organizuar nga Partia Demokratike, si pasojë e sulmeve me molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta para Kryeministrisë dhe sallës së Kuvendit, janë dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore 11 punonjës policie, të cilët ishin në krye të detyrës për mbarëvajtjen dhe garantimin e protestës. Ata janë vizituar në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegies nga Drejtori Vendor i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, dhe Zëvendës/Drejtori për Rendin, Dashnor Muhaj.
Megjithë thirrjet e vazhdueshme të Policisë, përmes qendrës së zërit, për të ndalur aktet e dhunës, ato vijuan, ç’ka detyroi ndërhyrjen për shpërndarjen e turmës, sipas parashikimeve ligjore në fuqi.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur menjëherë punën për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme të protestuesve ndaj punonjësve të rendit.
Shërbimet e Policisë vijojnë veprimet përmes analizimit të pamjeve filmike, për identifikimin e personave që kanë sulmuar dhe kryer akte të dhunshme, si dhe për shoqërimin e tyre.
Deri në këto momente janë shoqëruar 23 persona, dhe gjatë verifikimeve të gjeneratës dhe moshës, njëri prej tyre ka rezultuar i mitur. Menjëherë janë njoftuar prindërit dhe, deri sa është marrë nga prindërit, i mituri nuk ka qenë i shoqëruar në dhomat e shoqërimit, por ka qëndruar në zyrën e pritjes së qytetarëve, derisa është marrë në dorëzim nga prindërit e tij”.
© Panorama.al












