U kap ditën e zgjedhjeve, Gjykata lë në burg Shullazin

May 12, 2011 | 10:07

TIRANE – Gjykata e Tiranës caktoi dje masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat për Emiliano Shullazin, të arrestuar ditën e zgjedhjeve në zonën e Farkës në Tiranë, teksa kishte me vete armë, antiplumb dhe radio policie. Në Gjykatë, ai ka pretenduar se arma ishte një “trofe” dhe antiplumbi nuk ishte i paligjshëm. “Pistoletën ‘trofe’ e kam blerë në Turqi para 10 vjetësh. Ajo nuk quhet pistoletë. Ndërsa antiplumbi më ka ardhur nga Amerika. Ka ardhur me faturë. Po të ishte i jashtëligjshëm, nuk do të kalonte në pikëkalim kufitar”, mësohet të jetë shprehur para gjykatës i pandehuri Shullazi. Sipas prokurorisë, ndaj tij rëndojnë akuzat e “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, si edhe “mbajtje pa të drejtë e uniformës”. Në tri seanca të njëpasnjëshme, Gjykata e Tiranës caktoi masat e sigurisë edhe për tre persona të tjerë të arrestuar me Shullazin më 8 maj, ditën e zgjedhjeve lokale. Kështu, gjykata caktoi masat e sigurisë “arrest me burg” për Arbër Carën, si edhe “arrest me burg me afat 20 ditë” për Ilir Shullazin dhe Altin Mashën. Policia tha zyrtarisht mbrëmjen e së dielës, se Shullazi u ndalua teksa lëvizte me një makinë tip “Benz”, me targë TR 4018 J, të blinduar, i veshur me jelek antiplumb dhe me 3 radio policie. Po sipas policisë, në automjet u gjetën edhe 3 pistoleta, dy thika dhe një sasi bime narkotike, kanabis sativa. Emri i Shullazit, ish i dënuari për trafik droge, u lakua edhe gjatë fushatës, për shkak të përfshirjes së tij në një incident elektoral. Pasi u ndalua, një vendim gjyqësor i Gjykatës së Tiranës e liroi atë nga qelia më 24 prill 2011. a.b

© Panorama.al

Te lidhura