U helmuan të dielën në dasmë, 16 veta në spitalin e Lushnjës

Sep 25, 2011 | 11:43
Një nga të helmuarat në spitalin e Lushnjës

LUSHNJE – Shtohet numri i dasmorëve të helmuar në lokalin e Divjakës, të dielën e kaluar. Përveç 30 të sëmurëve që shfaqën simptoma në Berat dhe u paraqitën të mërkurën në mbrëmje në spital, 16 të tjerë nga fshati Biçukas i Lushnjës janë paraqitur me të njëjtat simptoma. Mësohet se 6 prej tyre kanë kërkuar ndihmë pranë spitalit të Lushnjës mbrëmjen e së premtes. Të sëmurët janë shtruar në repartin infektiv të spitalit, ndërsa gjendja e tyre pas marrjes së ndihmës së parë, po stabilizohet. “Pasi ikëm nga dasma nuk patëm shqetësime, por kur kaluan disa ditë u ndiem keq. Kishim të vjella dhe marrje mendsh. Tani po qetësohemi”, tregon një prej pacientëve. Mësohet se të sëmurët e Lushnjës nuk kanë pasur probleme si dasmorët nga Berati deri të premten. Disa prej tyre kanë marrë mjekime nga infermieri i fshatit, pasi gjendja nuk ka qenë shqetësuese. Ndërkohë, vetëm pasi u bë publik lajmi për helmim nga ana e sektorit të Higjienës në Lushnjë u morën masa për të verifikuar ushqimet. Pas paraqitjes së rasteve në Lushnjë, përfaqësues të Higjienës kanë ritheksuar edhe njëherë faktin se janë marrë kampione nga të gjitha ushqimet në lokalin ku u konsumua ushqim dhe ende po pritet një përgjigje. Sipas shefit të Epidemiologjisë në Lushnjë, Jaho Muço, informacioni ishte marrë me vonesë për rastin në fjalë, por megjithatë puna ka nisur prej ditësh. “Akoma nuk kemi marrë konfirmimet e laboratorit. Mendojmë të jetë ndonjë intoksikim kalimtar. Konsumimi i mishit i jep kryesisht me vonesë shenjat e helmimit. Në rast se vërtetohet, do të veprojmë sipas ligjit”, ka vijuar Muço. Mësohet se në lokalin ku u zhvillua festa nuk po zhvillohen aktivitete. Ky ambient qëndron i bllokuar deri në daljen e përgjigjeve të analizave të ushqimit.                    m.r

30 persona
u shtruan katër ditë më parë në spitalin e Beratit, me shenja të helmimit, pikërisht pas gëzimit familjar në një lokal të Divjakës në Lushnjë

© Panorama.al

Te lidhura