U emërua Kryeinspektor i Përgjithshëm? Dash Sula: Nuk kam pasur asnjë takim dhe ofertë, s’do të pranoja kurrë një emërim politik

Jan 16, 2026 | 15:33

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka komentuar lajmet që qarkulluan një ditë më parë se është emëruar nga qeveria si Kryeinspektor të Përgjithshëm pas dorëheqjes së Shkëlqim Hajdarit.

dashnor sula ish deputeti

Në një intervistë për News 24, ai theksoi se nuk ka marrë asnjë telefonatë dhe ofertë për një post të tillë. Sula theksoi se nuk do të pranojë asnjëherë një emërim politik.

Mes të tjerash, ai u ndal te qasja që ka pasur lidershipi i PD-së kundrejt tij për shkak të kritikave që ka shprehur, duke shtuar se nuk e kupton se çfarë kanë me të.

“Në radhë të parë sa më ka blerë, sa miliona euro. Kushdo që nuk është dakord në pozicionet dhe mendimet e lidershipit të PD, i blen Rama. Besoj se nuk jam nga ata që i shmangem pyetjes. Nuk ka asnjë lloj emërimi, vendimi dhe urdhri dhe nuk e di se nga ka dalë kjo. Por mesa duket se ka pasur dorëheqje nga zoti Hajdari, dhe thashethemnaja, ndodhi kjo gjë.

Duke patur parasysh se jam shkëputur nga PD, vetëpërjashtuar siç thotë Berisha edhe për zotin Salianji, dhe që nuk kam vend aty, në kulmin e karrierës time politike mu prenë këmbë e kokë që nuk vleja më për PD, nuk e kuptoj tani se çfarë shqetësimi kanë. Për shkak se unë kam pasur qëndrim dhe kam thënë se shteti nuk është as i Berishës dhe as i Ramës.

Në këë moment nuk ka asgjë të vërtetë që jam emëruar nga Rama si kryeinspektor i përgjithshëm. Kam zero telefonatë, takim, ofertë për këtë rast që po flisni. Po të kisha një emërim. Kam 20 vjet në politik dhe jam faqebardhë. Jam me zero akuza. Nuk është e vërtetë. Nuk jam njeri që gënjej dhe mashtroj”, u shpreh Sula.

© Panorama.al

Te lidhura