Kujdesi për veten është kthyer në përparësi për këngëtarin Justin Timberlake pas diagnostikimit me sëmundjen Lyme dhe përfundimit të turneut të tij “Forget Tomorrow World Tour”.
“Sapo u diagnostikua me sëmundjen Lyme dhe pas përfundimit me vështirësi të turneut, ai është përqendruar te rikuperimi dhe kujdesi për shëndetin e tij. Ka studiuar trajtimet dhe e merr seriozisht”, tha një burim për revistën PEOPLE.
Ndërkohë, 44-vjeçari dhe bashkëshortja e tij, Jessica Biel, janë fokusuar në mbajtjen e familjes në qendër të jetës së tyre.
“Që prej përfundimit të turneut në verë, kanë kaluar më shumë kohë në familje. Turneu ishte i lodhshëm për të gjithë. Justin ndjente lodhje, dhimbje dhe ishte i rraskapitur”, shtoi i njëjti burim.
“Jessica ka qenë gjithmonë pranë tij,” vazhdoi burimi. “Familja ka kaluar kohë si në Montana, ashtu edhe në Colorado. Të gjithë po e shijojnë jetën në natyrë.”
Turneu “Forget Tomorrow World Tour” përfundoi më 30 korrik me koncertin final në Stamboll. Një ditë më vonë, Timberlake ndau me ndjekësit e tij në rrjetet sociale lajmin për gjendjen e tij shëndetësore.
Në një postim në Instagram, ai shkruante:
Ndër të tjera, po përballem me disa probleme shëndetësore dhe u diagnostikova me sëmundjen Lyme dhe nuk e them këtë për të marrë keqardhjen tuaj, por për të hedhur pak dritë mbi ato që përjetoj pas skenës. Nëse e keni kaluar këtë sëmundje ose njihni dikë që e ka kaluar atëherë e dini se mund të jetë jashtëzakonisht rraskapitëse, si fizikisht, ashtu edhe emocionalisht.
Kur mora diagnozën, mbeta i tronditur. Por të paktën kuptova pse ndihesha i drobitur në skenë, me dhimbje nervore apo me një lodhje të çmendur. Përballova një dilemë personale: të ndal turneun apo të vazhdoj dhe të përballem me të? Vendosa që gëzimi që më jep skena ia vlen më shumë se lodhja e përkohshme e trupit tim. Dhe jam shumë mirënjohës që vazhdova.”
Ai shtoi se kishte hezituar fillimisht të fliste hapur për problemet shëndetësore: “Nuk i tregova vetëm vetes forcën e mendjes dhe të vullnetit tim, por kam edhe momente të paharrueshme me ju të gjithë që nuk do t’i harroj kurrë.
Kam hezituar të flas për këto gjëra, sepse jam rritur me bindjen se duhet t’i mbash për vete. Por po përpiqem të jem më i hapur për betejat e mia, që të mos keqkuptohen. E ndaj këtë përvojë me shpresën që të lidhemi më shumë me njëri-tjetrin. Dhe dua të bëj ç’është e mundur për të ndihmuar të tjerët që po kalojnë të njëjtën situatë.”
© Panorama.al














