U-21, përmbysje e gola me Moldavinë

Sep 7, 2011 | 11:29

Spektakël, gola dhe trepikëshi i parë për kualifikimet e Europianit të 2013-s. Kjo ishte Shqipëria “e vogël” që fitoi me Moldavinë.Kuqezinjtë e U-21, ndonëse shkuan dy herë në disavantazh, ditën sesi të rikuperonin, kjo edhe falë freskisë që i dhanë tre zëvendësuesit, Telushi, Sadiku dhe Hysenbelliu. Pjesa e parë filloi e mbaroi pa shumë histori, ndërsa në të dytën nisi festivali i golave. Miqtë shënuan në minutën e 54-t, me anë të kapitenit Ionita, por Shqipëria nuk dorëzohet dhe vetëm pesë minuta më vonë, Sadiku përgjigjet me një gjuajtje mjaft të bukur nga jashtë zonës, duke barazuar. E ndërkohë që lojtarët tanë po shijonin golin e barazimit, menjëherë sapo Moldavi nis topin nga mesfusha, shkon në zonë dhe merr një penallti të shkaktuar nga Sallaj. Ekzekuton kapiteni Ionita, dhe përsëri Moldavia në avantazh. Gjithsesi, Shqipëria beson se mund të marrë më shumë nga kjo ndeshje, ndaj, pas disa sulmesh, arrin të barazojë me anë të Brahimit. Nga këtu nisi edhe ngjitja e kuqezinjve. Në lojë futet edhe talenti Hysenbelliu, i cili pozicionohet në mesfushë duke marrë përsipër organizimin e sulmeve. Pikërisht, në këtë moment vjen edhe goli nga 35 metra i Telushit, i cili u dha frymëmarrje shpresave. Por, nuk mbaron këtu. Pak minuta më vonë, një kros nga e djathta e sulmit tonë shfrytëzohet bukur në zonë nga Sadiku, i cili shënon golin e katërt të sigurisë. Në minutat e fundit, ka kohë edhe për një gol tjetër dhe një karton të kuq për miqtë, por që nuk ndikon në rezultatin e ndeshjes.

Shqipëri-Moldavi 4-3

Shënues: Sadiku 59′, 80′, Brahimi 75′, Telushi 79’/ Ionita 54′, 61′ (p), Ginsari 89′
Kartonë të verdhë: Sallaj, Telushi/ Jardan, Platica
Karton i kuq: Platica 90′
Gjyqtarë: Bobi Maden/ G.Midleton dhe A.Mekuiliam (SKO)
Shqipëria: Frashëri, Sallaj, Peqini, Bunjaku, Brahimi (Hysenbelliu 78′), Bala (Sadiku 46′), Roshi, Vajushi, Sykaj, Gava, Pasha (Telushi 34′). Trajner: Artan Bushati
Moldavia: Rusu, Leu, Platica, Ionita, Mandricenko (Paseçinus 51′), (Starcius 87′), Andronik (Ginsari 70′), Georgiev, Vornisel, Hovanshi, Diulger, Jardan. Trajner: Sergei Çirilov

Grupi 6

Moldavi-Portugali    0-2
Shqipëri-Poloni    0-2
Shqipëri-Moldavi    4-3
Poloni-Rusi    0-2
Renditja
Ekipi    ND    F    B    H    P
Polonia    2    1    0    1    3
Portugalia    1    1    0    0    3
Rusia    1    1    0    0    3
Shqipëria    2    1    0    1    3
Moldavia    2    0    0    2    0

Bushati: Çelesi i fitores… zevendesimet

Trajneri i Shpresave, Artan Bushati, ka vlerësuar rezultatin dhe lojën e skuadrës që ai drejton, duke u ndalur më së shumti tek zëvendësimet (Telushi, Sadiku dhe Hysenbelliu), të cilët sipas tij i dhanë frymëmarrje ekipit. “Pas humbjes me Poloninë, kjo ndeshje do të ishte dramë për ne, nëse ndodhte. Ne e përjetuam, madje në pushimin e ndeshjes iu kërkova lojtarëve të reagonin. Ndërrimet e kryera ishin mjaft të goditura dhe i shërbyen mjaft mirë ekipit dhe fitores sonë”, pohoi Bushati pas ndeshjes.

© Panorama.al

Te lidhura