Kombëtarja U-21 luan sot në stadiumin e Korçës, me shanset e vetme për të marrë tri pikë të plota në kualifikimet për në Europianin e 2013-s. Kundërshtari është Moldavia, skuadër kjo e konsideruar si një nga më të dobëtat, së bashku me Shqipërinë në grupin 6, ku bën pjesë edhe Portugalia, Polonia dhe Rusia. Aktualisht, grupi kryesohet nga Polonia e Portugalia me nga tri pikë, ndërsa Rusia nuk ka zhvilluar ende asnjë ndeshje. Ndërkaq, shpresat e drejtuar nga Bushati, edhe pse janë një skuadër me talente të padiskutueshëm duke filluar që nga Frashëri, Sallaj, Vajushi, Roshi, Bunjaku, Ibrahimi, Sadiku, Bala e deri te Hysenbelliu, përsëri ka treguar limitet e veta në takimin ndaj Polonisë. Në këtë këndvështrim, mbetet që trajneri Bushati të bëjë disa lëvizje të tjera për ndeshjen e sotme, me qëllim marrjen e një rezultati pozitiv. Madje, duke parë kalendarin, ky mund të jetë shansi i vetëm që të marrë pikë të plota.











