Federata Turke e Futbollit lajmëroi të mërkurën prishjen e kontratës me trajnerin e Kombëtares së Turqisë, holandezin Gus Hidink, pasi nuk arriti të kualifikohej për në Euro 2012. Sipas komunikatës, të dyja palët vendosën të prishnin kontratën me konsensus, pasi Turqia nuk arriti të mposhte Kroacinë në dy ndeshjet e “play off”-it. Ndeshja e parë përfundoi 3-0 për kroatët (në Turqi), ndërsa ndeshja e kthimit u mbyll pa gola. Pas ndeshjes, Hidink u ankua për mungesën e mbështetjes dhe mundësive për lojtarët e rinj në futbollin turk: “Turqia ka një potencial të madh, por do të marrë pjesë në kompeticionet e mëdha, nëse organizon më mirë sistemin e nxjerrjes së talenteve. Kjo punë duhet nisur nga vetë klubet”, tha Hidink.











