Turi Hyska: “Familja”, aty ku të gjithë luajnë për të fituar një apartament

Sep 3, 2011 | 13:28

Ai ka një apartament 2XL, si trofeun e rikthimit të tij si moderator në ekranin e “Vizion Plus”. Por, që ta bësh tëndin atë apartament, duhet të hysh në lojë dhe në lojë nuk hyn i vetëm, por familjarisht. Turjan Hyska do të shfaqet këtë herë në ekran si drejtues i programit të ri me titull “Familja”, ku luhet dhe fitohet.
Këtë sezon do të shfaqesh si moderator i një program të ri. Çfarë rikthimi do të jetë ky për ty si prezantues?
Në këtë sezon të ri televiz unë do të rikthehem sërish si prezantues me një program të ri, që do fillojë të transmetohet pas disa javësh në “Vizion Plus” dhe që titullohet “Familja”. Për sa i përket mënyrës së prezantimit, unë do të drejtoj këtë format të ri, që është një formulë origjinale me quiz&game show dhe që shpresoj të krijojë impakt pozitiv tek publiku. Programi është krejtësisht ndryshe nga programet që kam realizuar këto dy vite, por ka po të njëjtën energji dhe dëshirë për ta realizuar sa më mirë.
Nëse do t’u referohemi emisioneve të tua të mëparshme, ato bazohen në konkurrencën mes protagonistëve. Po në këtë emision, cila do të jetë gara?
“Familja” po ashtu është bazuar mbi garën dhe konkurrimin. Në qendër të kësaj gare do të jenë familje, të cilat do tentojnë të fitojnë një superçmim, që do të jetë një apartament i madh në Tiranë e që fituesve patjetër do u ndryshojë jetën.
Përse një titull i tillë, “Familja”?
Në fakt, kjo është një pyetje që duhet bërë, pasi në kohët që po jetojmë familja po humbet atë shkëlqimin e dikurshëm si bërthamë e shoqërisë. Ky program tenton të farkëtojë idenë se, nëse një familje është e bashkuar, nesë brenda saj nuk ka konflikte brezash por bashkëpunim, nëse kanë energjinë e duhur, mund të arrijnë të ndërtojnë një ëndërr, të ndryshojnë të paktën të tashmen e tyre, duke fituar një apartament, që ndoshta nuk e kanë menduar kurrë. Nëse do kishte një slogan, ky program do të ishte “Në shtëpinë tonë të lumtur”.
Ke realizuar disa formate, ku shquhesh për prezantim me ritëm e zhurmë. Mos ndoshta do të marrësh pozitat e një moderatori serioz këtë herë?
Ritmi, fjalët e shumta dhe energjia në skenë janë karakteristikat e mia si prezantues dhe besoj do të jenë për aq kohë sa jam në këtë zanat. Këtë sezon besoj se do bëj shumë zhurmë, por jo shumë zhurmë për asgjë, pasi shpresoj për një projekt të realizuar mirë.
Cilët janë protagonistët e tjerë të programit tënd dhe kur do të jetë emisioni yt i parë?
Së shpejti nisin audicionet, ku familjet do të regjistrohen për t’u bërë pjesë e këtij show gjigant dhe sigurisht do të hyjnë në garë për apartamentin në kryeqytet. Programi mendohet të fillojë në fillim të tetorit, ndërsa protagonistët e këtij “show” do të jenë familjet, publiku në skenë dhe në shtëpi.
Përveç këtij programi, ti je producent i një spektakli tjetër të ri, “Sketch Show”, që do zëvendësojë këtë sezon “Apartamentin 2XL” . Mund ta quanim këtë fazë eksperimentimi për humorin?
Të “eksperimentosh” me një program të ri, është një bast i vështirë për mua si producent por, falë stafit që punoj, mendoj se do shndërrohet në një bast të fituar. “Sketch Show” është një program “risi” në tregun mediatik, pasi humori do të vijë ndryshe, në një format që nuk është realizuar më parë në Shqipëri.
Tani që i je përkushtuar me shumë karrierës në televizion, sa i balancuar është ky pasion me muzikën?
Kënga është përzierje emocioni, kënaqësie, deliri, nostalgjie dhe mbi të gjitha shoqërie me dy djem, me të cilët kam kaluar fazat më kritike ne jetë. Ndërsa televizioni është gjithçka për mua, me të mirat dhe të këqijat e veta.
Duket se “Produkt 28” po bën pauzë të gjatë, keni plan për rikthim apo konkurrim në ndonjë festival?
“Produkt 28” ka bërë një pauzë relativisht të gjatë, por ama sapo ka “dalë nga furra” një këngë vërtet shumë e bukur “ala Produkt 28”, që besoj do pëlqehet në masë nga publiku. Me festivalet e kemi mbyllur marrëdhënien, edhe pse asnjëherë nuk i dihet.
Nëse do të pyesnim për jetën sentimentale tashmë dihet nga të gjithë lidhja me Orinda Hutën. Keni menduar të bëni një emision apo këngë së bashku?
Unë dhe Orinda tentojmë gjithmonë të ndjekim në karrierë dy rrugë që të jenë paralele, por edhe nëse kryqëzohen, nuk do ishte keq. Deri atëherë le të ecim në korsi të ndryshme.
Kjo ide për ta titulluar emisionin e ri “Familja”, mos ndoshta është një parapërgatitje për të krijuar familje?
Hapat e ngadaltë dhe jo të zhurmshëm janë dobësia jonë, por sigurisht që jemi në ecje të vazhdueshme.

© Panorama.al

Te lidhura